Vendosni fjalën kyçe....

Britania e Madhe sanksionon 4 shtetas izraelitë në Bregun Perëndimor


Britania e Madhe ka sanksionuar katër shtetas izraelitë të hënën, duke thënë se ata janë “ekstremistë”, të cilët i kanë sulmuar palestinezët në Bregun Perëndimor.

Katër shtetasit izraelitë përballen me masa të rrepta financiare dhe të udhëtimit, për të cilët Britania tha se kishin bërë “shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut”.

“Ekstremistët izraelitë po i kërcënojnë palestinezët, shpesh me armë, duke i detyruar t’i braktisin tokat që ligjërisht janë të tyre”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron.

“Kjo sjellje është e jashtëligjshme dhe e papranueshme. Izraeli po ashtu duhet të ndërmarrë veprime më të fuqishme dhe t’i japë fund dhunës së kolonëve. Shpesh shohim premtime të dhëna që nuk përmbushen”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha se shkalla e dhunës ka qenë e paparë gjatë vitit të fundit në Bregun Perëndimor.

Edhe Shtetet e Bashkuara i sanksionuan katër izraelitë në fillim të këtij muaji, duke i akuzuar për përfshirje në dhunë në Bregun Perëndimor.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej se Hamasi  grupi palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE e sulmoi Izraelin më 7 tetor.

Autoritetet palestineze thonë se disa palestinezë janë vrarë, ndërsa grupet për të drejtat e njeriut thonë se ekstremistët izraelitë kanë djegur vetura dhe i kanë sulmuar disa komunitete të vogla beduine, duke i detyruar të evakuohen, shkruan REL.