Pas dorëheqjes së ish-Drejtorit të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) Adrian Koni, Ministri i Brendshëm ka prezantuar sot Drejtorin ri të Agjencisë, Idriz Haxhiaj. Prezantimi i tij është bërë në Ministrinë e Brendshme me prani të punonjësve të AAPSK-së.
Ai do të drejtojë përkohësisht Agjencinë, deri në përzgjedhjen e drejtuesit të ri, i cili do të dalë nga një proces i hapur konkurrimi, sipas parashikimeve të ligjit “Për nëpunësin civil”.
Haxhiaj mban aktualisht detyrën e Drejtorit të Politikave të Rendit dhe Sigurisë Publike në Ministrinë e Brendshme.
Ndërsa ditën e sotme, anëtari i Kryesisë së PD-së të Rithemelimit, Belind Këlliçi akuzoi Taulant Ballën se do emëronte Ferdinant Tarazhin në krye të Agjencisë.
Në denoncimin e Këlliçit thuhej se Tarazhi është një ish-Drejtor në Ministrinë e Brendshme, i kallëzuar në SPAK në vitin 2021 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me procedurat tenderuese për rikonstruksionet e komisariateve.