Vendosni fjalën kyçe....

Kurti nuk tërhiqet: Nuk ndërhyj në vendimin e Bankës Qendrore për dinarin serb


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin sa i përket rregullores së BQK-së dhe dinarit serb.

Në një intervistë për mediumin britanik “Bloomberg”, Kurti ka thënë se i qëndron rregullores së BQK lidhur me operacionet me para të gatshme.

Ai ka ripërsëritur se nuk do të ndërhyjë në vendimin e pavarur të BQK-së, i cili ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Kryeministri përsëriti se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se kjo është një periudhë tranzicioni dhe se po punojnë për informacione më të plota.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë të njëjtin qëndrim me përkushtim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, ka deklaruar Kurti.

Kujtojmë se vendimi i BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian si ndërprerje e ndihmës në para për serbët etnikë që përdorin dinarin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Telegrafi