Rekordmeni botëror i maratonës nga Kenia, Kelvin Kiptum dhe trajneri i tij u vranë në një aksident rrugore në vend të dielën, duke ndërprerë në mes karrierën premtuese të të vetmit atlet që ka përfunduar garën klasike në më pak se dy orë e një minutë.
24-vjeçari vendosi rekordin botëror në Maratonën e Çikagos në tetor me një kohë prej 2 orësh e 35 sekondash për të thyer rekordin prej 2 orësh, 1 minute e 9 skondash të vendosur nga bashkatdhetari Eliud Kipchoge në Berlin në 2022.
Kiptum, i cili shënoi tre nga shtatë kohët më të shpejta të maratonës në histori, kishte shpresuar të bëhej njeriu i parë që do përfundonte maratonën në më pak se dy orë në kushte gare në Roterdam në prill, si dhe të bënte debutimin e tij olimpik në Paris në korrik.
Sipas raportit të policisë, Kiptum po ngiste makinën ndërsa bashkë me të ishin edhe trajneri i tij ruandez dhe një grua. Atleti dyshohet se humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga në një kanal, duke udhëtuar për rreth 60 metra përgjatë tij përpara se të përplasej me një pemë.
Kiptum dhe Gervais Hakizimana vdiqën në vendngjarje, ndërsa gruaja, 24-vjeçarja Sharon Chepkurui Kosgei Keiyo, mbijetoi.