Rindërtimi vijon të mbetet ende një program i hapur që me shumë gjasa do të shkojë përtej vitit 2024.
Qysh nga nisja në vitin 2020 e deri më sot ka qenë e vështirë të bëhet një bilanc për pikën ku ndodhemi për shkak të copëzimit në disa njësi zbatuese por edhe të ndryshimeve në kalimin e përgjegjësisë për këtë program.
Së fundmi Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë iu përgjigj një kërkesë për informim mbi këtë ecurinë e këtij procesi duke dhënë kështu për herë të parë numrin total të njësive individuale të përfunduara në gjithë vendin në kuadër të këtij program si dhe të apartamenteve.
“Në territorin administrativ të bashkive të prekura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019 janë rindërtuar në total rreth 2250 banesa individuale nga njësitë zbatuese, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore. Vazhdojnë punimet për përfundimin e banesave individuale që janë në proces rindërtimi. Kanë përfunduar punimet për rindërtimin e rreth 4500 apartamenteve nga njësitë zbatuese, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe nga donatorë të ndryshëm. Janë në proces rindërtimi dhe në pritje për tu përfunduar rreth 125 ndërtesa me njësi banimi (pallat)” thuhet në përgjigjen e MIE.
Mbetet e paqartë sesa është numri i apartamenteve që përfshihen në këto ndërtesa me njësi banimi. Shpenzimet faktike për procesin e rindërtimit deri në fund të dhjetorit 2023 ishin 92 miliardë lekë apo rreth 885 milionë euro. Këto shpenzime përfshijnë financimin e programit në 11 bashki të prekura në vend nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Dëmet nga fatkeqësia e 26 nëntorit 2019
Ecuria e programit të rindërtimit vit pas viti ka qenë e ngadaltë duke bërë që mijëra familje ende të jenë në banesa me qira.
Një raport i vlerësimit të nevojës pas fatkeqësisë, i hartuar me ndihmën e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Ministrave zbuloi në shkurt 2020 publikoi shifrat zyrtare mbi dëmet pak para fillimit të Konferencës së Donatorëve.
Në total, efekti i fatkeqësisë vlerësohej sa 6.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB) ndërsa në humbje 1.1% e PBB, çka në total e çon shifrën 7.5% e PBB.
“Vlerësimi tregon se në total, efekti i fatkeqësisë në 11 bashki llogaritet rreth 985.1 milionë euro, apo 121.21 miliardë lekë, nga të cilat 843 milionë euro, 103.84 miliardë lekë, përfaqëson vlerën e aseteve fizike të shkatërruara dhe 141.2 milionë euro, 17.37 miliardë lekë, referuar humbjeve. Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e strehimit (78.5%), ndjekur nga sektori prodhues me 8.4% dhe edukimi me 7.5%. Sa u takon humbjeve, në sektorin prodhues llogaritet më i larti me 56.4%, ndërsa në strehim 24.1% dhe mbrojtje civile dhe reduktim i riskut, në 9.4%” thuhej në raport.
Dëmet u llogaritën për disa sektorë ku në strehim 11.490 njësi u kategorizuan si plotësisht të shkatërruara ose të prishura dhe do të duhet të rindërtoheshin, ndërsa një shtesë 83,745 njësi strehimi u dëmtuan pjesërisht ose lehtë, duke pasur nevojë për riparim.
Në përgjithësi, 18% e njësive totale të banesave u prekën. Tek arsimi dëmet u raportuan në 321 institucione arsimore në 11 rajonet e prekura, duke përfaqësuar 24% të të gjitha institucioneve arsimore./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor