Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria izraelite liron dy pengje në Gaza, dhjetëra viktima nga sulmet ajrore


Zyrtarët e spitalit në qytetin jugor të Gazës, Rafah, thonë se të paktën 50 njerëz u vranë në sulmet ajrore që shoqëruan një operacion izraelit për shpëtimin e pengjeve.

Dr. Marwan al-Hams, drejtor i spitalit “Abu Youssef al-Najjar”, tha të hënën se të vdekurit përfshinin gra dhe fëmijë. Një gazetar i Associated Press numëroi gjithashtu trupat e sjellë në spital.

Ushtria izraelite tha se shpëtoi dy pengje të mbajtura në territor në një bastisje dramatike që u mbështet nga sulmet ajrore. Zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, tha se pengjet ishin mbajtur në një apartament në katin të dytë në Rafah, të ruajtur nga persona të armatosur të Hamasit.

Hagari tha se forcat speciale hynë në apartament në orën 1:49 të mëngjesit të së hënës, të shoqëruar një minutë më vonë nga një seri sulmesh ajrore në zonat përreth.

Ai tha se anëtarët e ekipit të shpëtimit i mbrojtën pengjet me trupat e tyre ndërsa një betejë e rëndë shpërtheu në disa vende menjëherë me shumë njerëz të armatosur të Hamasit.

Të paktën 16 palestinezë u vranë dhe 55 u plagosën në sulmet ajrore të natës në Rafah, sipas zyrtarëve të spitalit lokal.

Ushtria i identifikoi pengjet e shpëtuar si Fernando Simon Marman, 60 vjeç dhe Louis Har, 70 vjeç, të cilët tha se ishin rrëmbyer nga militantët e Hamasit nga Kibbutz Nir Yizhak në sulmin ndërkufitar të 7 tetorit që shkaktoi luftën.

Të dy u transportuan me avion në Spitalin Sheba dhe u raportuan se ishin në gjendje të mirë shëndetësore.