Vendosni fjalën kyçe....

Cilat vende të NATO-s shpenzojnë më pak se 2% për mbrojtjen – Washington Post nxjerr listën


Donald Trump tha gjatë fundjavës se do “nxiste” Rusinë të sulmonte aleatët “delikuentë” të NATO-s, të cilët, sipas tij, shpenzojnë shumë pak për mbrojtjen.

Vërejtjet e tij tronditën krerët në dy anët e Atlantikut dhe keqpërshkruan mënyrën se si funksionon aleanca prej 31 anëtarësh.

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s bëjnë pagesa për të mbuluar shpenzimet operative të organizatës, e cila u themelua pas Luftës së Dytë Botërore për të ndihmuar Evropën Perëndimore kundër Bashkimit Sovjetik me ndihmën e Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Por ata nuk paguajnë tarifat e anëtarësimit për të mbetur në aleancë.

Vendet, megjithatë, zotohen të shpenzojnë të paktën 2 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen çdo vit, me synimin për të siguruar gatishmërinë ushtarake të aleancës dhe për të penguar çdo sulm të mundshëm. Zotimi është një udhëzues, jo një kërkesë, që ekziston për gati dy dhjetëvjeçarë.

Vitin e kaluar, 11 vende e arritën ose tejkaluan këtë objektiv, sipas statistikave të NATO-s. Pjesa tjetër shpenzoi pjesë më të vogla të PBB-së së tyre për mbrojtjen. (Islanda, i vetmi shtet anëtar pa forca të armatosura, është hequr nga grupi i të dhënave.)

Shumica e vendeve që shpenzuan përtej 2 përqindëshit ose ndajnë një kufi me Rusinë ose qëndrojnë pranë vijës së parë të luftës në Ukrainë.

Polonia, e cila ndan një pjesë të kufirit të saj verior me enklavën ruse të Kaliningradit dhe një shtrirje të gjatë të kufirit të saj juglindor me Ukrainën, shpenzoi një pjesë më të madhe të PBB-së së saj për mbrojtje vitin e kaluar se çdo shtet tjetër anëtar, në 3.9 për qind.

Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e dytë, me 3.49 për qind. Por në shifra të papërpunuara, buxheti i mbrojtjes prej 860 miliardë dollarësh i SHBA-së është më shumë se dyfishi i të gjithë aleatëve të tjerë të NATO-s së bashku.

Shtetet e tjera anëtare që shpenzojnë më shumë se 2 për qind të PBB-së së tyre përfshijnë Estoninë, Lituaninë, Rumaninë dhe anëtarin më të ri të NATO-s, Finlandën, e cila iu bashkua aleancës vitin e kaluar. (Vlen të përmendet se shumica e shpenzuesve të mëdhenj kanë ligje ose politika kombëtare që kërkojnë 2 përqind shpenzime të mbrojtjes në përputhje me qëllimet e NATO-s.)

Vendet më larg Rusisë kishin më shumë gjasa të shpenzonin nën udhëzimin prej 2 për qind. Disa, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Kanadanë, shpenzuan në mënyrë të konsiderueshme nën këtë objektiv, pavarësisht se kishin ekonomi të mëdha dhe PBB që tejkalojnë 1 trilion dollarë.

Të tjerët, si Luksemburgu, mund të kenë shumë vështirësi për të arritur pragun për shkak të madhësisë së kufizuar të ushtrive të tyre dhe industrive të mbrojtjes.

Shumica e aleatëve të NATO-s po shpenzojnë një pjesë më të madhe të PBB-së së tyre për mbrojtjen sesa në vitin 2014. Atë vit, Rusia pushtoi Gadishullin e Krimesë dhe e aneksoi atë, duke ndezur tensionet në Evropën Lindore dhe duke e shtyrë NATO-n të dyfishojë objektivin e saj të shpenzimeve prej 2 për qind.

Si kanë ecur shpenzimet e vendeve për mbrojtjen

Ndryshimet në përqindjen e PBB-së kushtuar mbrojtjes që nga viti 2014, të renditura nga më e larta në më e ulëta në 2023.

Me blu, vendet që i kushtuan 2% ose më shumë të PBB-së së tyre mbrojtjes në vitin 2023.

Me të kuqe, vendet që nuk ia kushtuan.

Në atë kohë, vetëm tre aleatë po përmbushnin këtë objektiv. Numri u rrit në shtatë në vitin 2022. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt të atij viti, shpenzimet e mbrojtjes u rritën në disa vende.

Polonia kryesoi përsëri listën, me shpenzimet e saj të mbrojtjes që u rritën nga 2.4 përqind e PBB-së së saj në 3.9 përqind.

Në total, Polonia shpenzoi më shumë se 29 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, gati 12 miliardë dollarë më shumë sesa shpenzoi në vitin 2022 dhe tre herë më shumë se sa shpenzoi një dekadë më parë. Franca, Sllovakia, Hungaria dhe disa të tjerë gjithashtu rritën shpenzimet e mbrojtjes pas sulmit rus ndaj Ukrainës.

Në fillim të këtij viti, Turqia votoi në favor të anëtarësimit të Suedisë pas muajsh vonese. Në pritje të ratifikimit të Hungarisë, Suedia pritet të anëtarësohet në NATO këtë vit si anëtarja e 32-të dhe është zotuar të shpenzojë 2.1 për qind të PBB-së së saj.

Disa shtete anëtare po shpenzojnë më shumë, por ende nuk e kanë tejkaluar kufirin prej 2 për qind. Por presioni për të rritur shpenzimet e mbrojtjes nuk ka kaluar pa u vënë re.

Pas komenteve të Trump, kancelari gjerman Olaf Scholz të hënën u zotua të përmbushë objektivin 2 për qind të NATO-s.

“Kjo është urgjentisht e nevojshme,” tha Scholz.

“Sepse sado e ashpër të jetë kjo e vërtetë, ne nuk jetojmë në kohë paqeje.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WP

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani