Ka ndërruar jetë në 11 shkurt 2024 një nga personalitetet më të shquara të kulturës arbëreshe, prof. Giuseppe (Zef) Chiaramonte.
Ai dha një kontribut të madh në ruajtjen e pasurisë kulturore, historike, gjuhësore dhe kishtare të arbëreshëve. U lind më 29 korrik 1946 në Santa Cristina Gela, Sicili.
Ka qenë mësues i shkollës së mesme e më pas, drejtor biblioteke në Palermo.
Prof Chiaramonte ka qënë një studiues i kulturës së Evropës Lindore, dhe sidomos i Ballkanit. Gjithashtu ai ka ndejkur kurse në universitetet e Selanikut dhe të Prishtinës.
Për disa vite ai mbajti kurse falas të Shkrimi dhe kultura arbëro-shqiptare në shkollat publike dhe në bibliotekën që drejtonte.
Përveç të tjerash ai studoi edhe filozofi e teologji në universitetet papnore të Romës, pastaj, historinë e Evropës Lindore, filologjinë bizantine, arkeologjinë kristiane, artin bizantin
Në idealin arbëror e shpirtëror, vend të veçantë në jetën e Zefit pati Kisha Arbëreshe e ritit bizantin, e cila ruajti e kultivoi përherë identitetin, gjuhën dhe traditat e arbëreshëve në Itali e jo vetëm.
Në vitin 1999 ai mirëpriti pro-refugjatët kosovarë në ish-bazën amerikane në Comiso, duke vepruar si përkthyes për Ministren e Brendshme, Rosa Russo Jervolino, dhe më vonë, për Presidentin Ibrahim Rugova.
Ka bërë studime pa fund e ka shkruar disa libra, gjithnjë me synimin për të mbrojtur e përhapur kulturën arbëreshe. Përmendim “Noi veniamo dall’Albania (Ne vijmë nga Shqipëria)”, tekst dygjuhësh për fëmijë; “La Terra di Costantino (Toka e Kostandinit)”, ku, nga burime dokumentare, reflekton mbi praninë e bizantinëve, të arabëve, normanëve e shqiptarëve në Santa Cristina Gela; më 2015, pa dritën e botimit vëllimi me poezi “Vulë uji”, edhe ai dygjuhësh.
U njoh nga Fakulteti i Letërsisë së Universitetit të Palermos si kultivues i albanologjisë, por ai fliste disa gjuhë, si latinishten, greqishten e vjetër, natyrisht, italishten dhe arbërishten, si edhe shqipen standarde e dialektet e shqipes, frëngjishten, greqishten e re dhe serbishten.
Të gjitha gjuhë, që i shërbyen në studimet e tij për ta vënë në pah e për ta ruajtur arbërishten e shqipen, për të cilat u thoshte gjithnjë bashkëatdhetarëve me të njëjtën origjinë ta mësonin e ta kultivonin, pa e harruar dheun mëmë. Prof. Zef Chiaramonte mbetet një studiues erudit, me përmasa ndërkombëtare.