Vendosni fjalën kyçe....

Trump i kërkon Gjykatës së Lartë të pezullojë gjyqin për 6 janarin: Pengesë për fushatën


Donald Trump të hënën i kërkoi Gjykatës së Lartë të bllokojë një vendim të një gjykate më të ulët se ai mund të ndiqet penalisht për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, duke këmbëngulur se presidentët janë të mbrojtur nga ndjekja penale dhe se një gjyq do “prishte rrënjësisht” fushatën e tij për rizgjedhje.

Nëse një president mund të akuzohet penalisht për veprimet e ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë, avokatët e Trump paralajmëruan, “ndjekje të tilla do përsëriten dhe do bëhen gjithnjë e më të zakonshme, duke sjellë cikle shkatërruese të akuzave”. Ata shtuan: “Pa imunitet nga ndjekja penale, Presidenca siç e njohim do të pushojë së ekzistuari”.

Ishte hera e dytë në më pak se një javë që kandidati kryesor republikan presidencial iu drejtua gjykatës më të lartë të vendit për të ndërhyrë në një çështje ligjore të paprecedentë që mund të formësonte të ardhmen e tij politike, në këtë rast duke kërkuar në mënyrë të qartë që Gjykata e Lartë të bllokojë gjykimin e tij penal për të lejuar që fushata e tij politike të ecë përpara pa pengesa.

Deklarata e së hënës kërkon nga gjyqtarët që të pezullojnë përkohësisht – në pritje të një apeli zyrtar në Gjykatën e Lartë – refuzimin gjithëpërfshirës nga Gjykata e Apelit të SHBA-së për Qarkun DC të pretendimit të Trump se ai është i mbrojtur nga ndjekja penale për veprimet që ka ndërmarrë gjatë kohës që ishte në detyrë.