Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka përsëritur thirrjen e tij për armëpushim duke thënë se ‘tragjedia njerëzore në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze ishte në krye të agjendës” në takimin e tij me Abdel Fattah El-Sisi të Egjiptit.
“Duke shpërfillur reagimet, qeveria e Netanyahut në mënyrë të pamatur po vazhdon politikën e saj të pushtimit, shkatërrimit dhe masakrës. Prioriteti ynë është të vendosim një armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të dërgojmë ndihma humanitare në Gaza pa asnjë pengesë”, tha Erdogan gjatë një konference për shtyp në Kajro pas takimit.
Po ashtu Erdogan paralajmëroi kundër përpjekjeve për të dëbuar palestinezët nga Gaza. “Përpjekjet për të dëbuar popullin e Gazës nga atdheu i tyre janë të pavlefshme”, tha Erdogan.
Po ashtu presidenti turk nuk harroi të falënderonte Kajron për mbështetjen ndaj Gazës dhe lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare nga Ankaraja.