Vendosni fjalën kyçe....

Grup-Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë stërvitje në Pukë, Begaj: Të gatshëm të mbrojmë krahun juglindor të NATO-s


Në Pukë Grup-Batalionit i Këmbësorisë së Lehtë tashme i certifikuar nga NATO si i gatshëm për luftim zhvilloi stërvitjen “Mbrojtja e Qëndrueshme 24”.

Gjatë stërvitjes ushtaraket testuan kapacitetet operacionale dhe pajisjet e reja në kushtet e motit të ftohtë duke dëshmuar se kane aftësitë e duhura për tu dislokuar dhe për te kryer operacione luftarake në çdo lloj terreni gjeografik nëse aleanca e kërkon

Sipas Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj stërvitja e grup-batalionit tregon se vendi është i gatshëm për t’u mbrojtur si dhe për të për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, në krahun juglindor të Aleancës.

 

“Kjo stërvitje është tregues i qartë i shkallës së lartë të përgatitjes, aftësisë dhe gatishmërisë së Forcave të Armatosura në përmbushje të misionit kushtetues për mbrojtjen e vendit dhe kontributit në mbrojtjen kolektive.

Njësia juaj tashmë është e certifikuar nga NATO dhe konsiderohet si forcë e gatshme për dislokim dhe operim në ndërveprim të plotë me aleatët tanë.

Gjatë kësaj stërvitjeje ju testuat kapacitetet operacionale dhe pajisjet e reja në kushtet e motit të ftohtë.

Në këtë mënyrë, do të dëshmoni aftësitë operacionale për të vepruar dhe kryer operacione luftarake në çdo lloj terreni gjeografik dhe në çdo lloj rrethane.

Nga ana tjetër, stërvitja e grup-batalionit tregon se Shqipëria është e gatshme dhe e aftë për t’u mbrojtur dhe për të kontribuar aktivisht në mbrojtjen kolektive, sidomos në krahun juglindor të NATO-s.

Kjo stërvitje kryhet në të njëjtën kohë me zhvillimin e stërvitjes më të madhe ushtarake të NATO-s prej dekadash, “Steadfast Defender 24”.

Nëpërmjet kësaj stërvitjeje, NATO po tregon se është një aleancë e fuqishme, e aftë dhe e gatshme për të mbrojtur popullsinë dhe territorin e vendeve anëtare në hapësirën Euro-Atlantike nga të gjitha kërcënimet, në një qasje 360 gradë. Ndaj, është me rëndësi që edhe Forcat tona të Armatosura të jenë në lartësinë e sfidave të kohës. Jo shumë larg nga këtu, prej dy vjetësh, vijon agresioni i paligjshëm rus ndaj Ukrainës.

Qëndresa dhe heroizmi i ushtrisë dhe popullit ukrainas janë burim frymëzimi në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë. Shqipëria do vijojë të mbështesë Ukrainën, në koordinim të plotë me partnerët strategjikë dhe NATO-n.

Ndërkohë, situata në Lindjen e Mesme është e rënduar dhe rrezikon përfshirjen e aktorëve të tjerë. Rreziku nga përshkallëzimi i këtyre vatrave të nxehta është real. Edhe rajoni ynë, Ballkani Perëndimor, i cili ka vuajtur nga historia e konflikteve dhe përplasjeve ka një situatë sigurie të brishtë.” tha presidenti Begaj mes të tjerash.

 

foto galeri