Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Rrënimi me qëllim i blegtorisë po e kthen në rrezik për shëndetin me produktet e pakontrolluara


Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për një shkrim ku thuhet se në Shqipëri ka produkte në masë me vaj palme dhe qumësht pluhur.

Meta thotë se rrënimi i qëllimshëm i blegtorisë ka shkaktuar jo vetëm ulje të prodhimit por edhe rritje çmimesh dhe kthimin në një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit.

Kreu i PL-së thotë se rritja e madhe e importeve të qumështit pluhur dhe vajit të palmës i ka shkaktuar dëmte të konsiderueshme blegtorëve vendas.

Rrënimi i qëllimshëm i blegtorisë në Shqipëri ka shkaktuar jo vetëm ulje të konsiderueshme të prodhimit blegtoral dhe automatikisht rritje të frikshme çmimesh të çdo produkti, por është kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit.

Në periudhën 2013-2023, ulja e prodhimit të qumështit në Shqipëri ishte me 161.000 tonë. Kjo ulje do të rrisë tundimin e falsifikuesve dhe spekulantëve për të përdorur përbërës shtesë me çmim të ulët si qumësht pluhur dhe vaj palme, me qëllim për të ulur kostot e prodhimit, duke dëmtuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve.

Rritja e madhe e importeve të qumështit pluhur dhe vajit të palmës i ka shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme blegtorëve tanë, produktet bio të cilëve dëmtohen nga konkurrenca e pandershme.

Nga ana tjetër, përdorimi abuziv i tyre sjell rrezik serioz për popullatën, ndaj është me shumë rëndësi forcimi i rolit kontrollues dhe parandalues të laboratorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Çdo produkt ushqimor i pakontrolluar është një jetë njerëzore e rreziku”-shkruan Meta.