Furnizimi me armë për Izraelin duhet të pakwsohet pasi kryeministri i vendit Benjamin Netanyahu ka injoruar thirrjet ndërkombëtare për të shmangur viktimat civile gjatë operacionit ushtarak në Gaza, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, 28,473 njerëz janë vrarë dhe 68,146 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite dhe sulmin tokësor kundër enklavës palestineze. Ushtria izraelite ka sulmuar Gazën që kur grupi i armatosur palestinez Hamas filloi sulmin e tij më 7 tetor në Izrael, në të cilin rreth 1200 njerëz humbën jetën dhe rreth 240 u morën peng.
Gjatë një konference për shtyp të hënën, Borrell kujtoi fjalët e presidentit amerikan Joe Biden, i cili tha javën e kaluar se përgjigja izraelite ndaj sulmit të Hamasit kishte qenë “e ekzagjeruar”. Ai gjithashtu vuri në dukje se zyrtarë të tjerë të rangut të lartë perëndimorë kanë bërë deklarata të ngjashme kohët e fundit.
“Epo, nëse besoni se po vriten shumë njerëz, ndoshta duhet të furnizojmw më pak armë për të parandaluar vrasjen e kaq shumë njerëzve,” sugjeroi kryediplomati i BE-së.
“Nëse komuniteti ndërkombëtar beson se kjo është një masakër, se shumë njerëz po vriten, ndoshta duhet të mendojmë për ndalimin e ofrimit të armëve,” shtoi ai.
Borrell më pas kritikoi kryeministrin izraelit personalisht, duke thënë se “të gjithë shkojnë në Tel Aviv, duke iu lutur: “Ju lutemi mos e bëni këtë, mbrojini civilët, mos vrisni kaq shumë.” Sa janë shumë? Cili është standardi?” Por të gjitha lutjet mbeten të kota, sepse “Netanyahu nuk dëgjon askënd”, tha ai.