Vendosni fjalën kyçe....

Shkurtime punonjësish në disa ministri, zbardhet vendimi


Dhjetëra punonjës në administratën shtetërore do të shkurtohen nga detyra.

Në vendimin e marrë sot të Këshillit të Ministrave, ministritë që preken nga shkurtim janë ajo e financave, Ministria e Kulturës si dhe numri i punonjësve rezervë. Kujtojmë se ministria e Kulturës është bashkuar me atë të Ekonomisë dhe shkurtimet bëhen për shkak të ristrukturimit.

Vendimi:

Një shtesë dhe rialokim të numrit të punonjësve organikë në aparatin e disa njësive të qeverisjes qendrore për vitin 2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Numri i punonjësve të ministrisë përgjegjëse për financat, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 113 (njëqind e trembëdhjetë) punonjës.

Numri i punonjësve të aparatit të ministrisë përgjegjëse për kulturën, miratuar në buxhetin e vitit 2024, reduktohet me 91 (nëntëdhjetë e një) punonjës.

Numri i punonjësve rezervë të buxhetit të miratuar për vitin 2024 reduktohet me 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve rezervë në 29 (njëzet e nëntë) veta.

Numri i punonjësve të përmendur në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, alokohet në aparatin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, kulturën dhe inovacionin dhe numri i punonjësve për këtë ministri bëhet 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) veta.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.