Vendosni fjalën kyçe....

Antony Blinken në Shqipëri, vizita historike 8 orëshe e Sekretarit të Shtetit, çfarë ka ndodhur deri tani


Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken zbriti sot në tokën shqiptare në orën  11: 26 minuta për të zhvilluar vizitën e tij zyrtare në Tiranë.

Sekretari u prit në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe i deleguari me punë i ambasadës amerikane në Tiranë.

Vizita që është parashikuar të zgjasë 8 orë, pritet të ketë takime me presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës. Gjithashtu Blinken do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës. Po ashtu Blinken do të ketë dhe një takim e emigrantë afganë për pajisjen e tyre me viza speciale.

Sipas DASH, vizita do të përqendrohet pikërisht tek e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor.

Bashkë me Sekretarin Blinken, e pranishme është edhe ish ambasdorja e SHBA-ve në vendin tonë, zonja Yuri Kim, e cila mban rolin e Zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Menjëherë pas mbërritjes së sekretarit amerikan në Shtetit Antony Blinken në Shqipëri, ministri i Jashtëm Igli Hasani i ka shprehur mirëseardhjen. Hasani theksoi rëndësinë e partneritetit të bashkëpunimit strategjik të Shqipërisë me SHBA-në, ku shton se vetëm do të forcohet.

‘Mirë se erdhe Antony! Me kënaqësi të mirëpres Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri.

Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të kahershëm, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë.

I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar.’– shkruan Hasani.

Edhe Ambasada amerikane në Tiranë nëpërmjet një statusi reagoi për këtë vizitë nëpërmjet rrjeteve sociale, ku e cilësoi si historike këtë vizitë dhe bëri me dije axhendën e Sekretarit të Shtetit.

“🇦🇱 Mirë se vjen në Shqipëri, Sekretari Blinken!

Gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken do të takohet me Presidentin Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama dhe do të marrë pjesë në një aktivitet të veçantë rinor te Piramida e Tiranës, për të festuar të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Ai do të takohet gjithashtu me drejtues të sistemit të drejtësisë dhe komunitetin e ambasadës.

Na ndiqni përgjatë kësaj vizite historike.” shkruan Ambasada amerikane në Tiranë.

Pasi zhvilloi takimin e parë në me disa përfaqësues të familjeve afgane të cilat strehohen në Shqipëri pasi i ikën talebanëve në Afganistan, Blinken u drejtua për në presidencë ku u takua me presidentin Bajram Begaj.

 

Presidenti Begaj e cilësoi shumë të rëndësishme këtë vizitë dhe u shpreh se ajo është një  demostrim “se partneriteti ynë strategjik është më i fortë se kurrë.”

“Jemi falënderues për atë që SHBA kanë bërë dhe Ju po bëni për demokracinë shqiptare, sundimin e ligjit, veçanërisht reformën në drejtësi, mbrojtjen, sigurinë dhe sigurinë kibernetike, arsimimin dhe ekonominë përmes programeve të ndryshme mbështetëse”- deklaroi Presidenti gjatë bisedës me Sekretarin Amerikan të Shtetit.

Pas presidencës, sekretari Blinken u drejtua për tek Piramida ku e priste edhe Kryeministri Edi Rama të cilit paradite iu desht të ishte në Bruksel.

‘Diktatori ynë për të cilin kjo piramidë u ndërtua dhe për të cilin u dedikua si tempull i përjetshëm po rrotullohet në varrin e vetë sot’ tha Rama duke shprehur mirënjohjen ndaj Blinken.

Nga ana e tij sekretari amerikan vlerësoi rolin e kryeministrit Rama.

“ Mirënjohës për partneritetin që kemi, jo vetëm  udhëheqës i shquar dhe kryeministër shumë i mirë’’ u shpreh Blinken.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken u shpreh se është krenar për partneritetin Shqipëri-SHBA në mikpritjen e afganëve që u larguan nga Afganistani pasi pushtetin e morën talibanët.

Duke falënderuar Shqipërinë për mikpritjen e afganëve, Blinken tregoi edhe raste të disa prej vajzave afgane të cilat tanimë kanë arritur të shkollohen dhe kanë ide për të hapur bizneset e tyre.

“Disa prej jush keni mirëpritur familjet afgane dhe kjo tregon bujarinë e shqiptarëve dhe mirëpritjen.  Nuk është vetëm fakti që ju po i prisni ato me krahët hapur por edhe mënyra sesi po i mirëprisni ata. Dua t’ju them se ishte emocionuese për mua që mes refugjatëve afganë ishin 2 prindër burrë e grua që kishin 5 fëmijë dhe secili prej këtyre 5 fëmijëve ishin numër 1 të klasat e tyre. Por kur talibanët erdhën në fuqi, vajzat nuk mund të shkonin në shkollë. Sidoqoftë ata u përpoqën të gjenin mënyra për t’u dhënë mësim vajzave të tyre. Ato teksa kanë qenë në Shqipëri, kanë mësuar anglisht në mënyrë fluente. Një nga motrat do të jetë në sektorin e modës, tjetra në sektorin e biznesit.

Unë u dhashë ide që të mund të punojnë në biznesin e tyre për modën. Mund të shikoni shpresën e jashtëzakonshme në sytë e tyre, shpresë që ua hoqën talibanët po iu ringjall pasi erdhën në Shqipëri. Jam krenar për partneritetin tonë për të ndihmuar afganët”- tha Blinken.

Më tej shprehu mirënjohjen për mikpritjen që Shqipëria tregoi ndaj afganëve. Tek Piramida u takua dhe me Altin Dumanin kreu e SPAK, kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, Inspektori i Lartë i Drejtesisë Artur Metani, kryetari i gjykatës së Lartë Sokol Sadushi.

Tek Piramida, Blinken zhvilloi një takim me të rinjtë të cilët kanë përfituar nga programet e ambasadës amerikane. Ai u ndal në fjalën e tij për Dea Rrozhanin, studente shqiptare e cila ka krijuar aplikacionin kundër dhunës ndaj vajzave.

Teksa foli për arritjet e Shqipërisë, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken përmedi edhe disa shembuj suksesi si këngëtarja Dua Lipa, apo shefja e teknologjisë në Open AI, Mira Murati.

 “Amerikanë të rinj, po vallëzojnë gjithë natën me Dua Lipën. Shefja e teknologjisë në Open AI, një nga njerëzit që po zhvillon Inteligjencën Artificiale është shqiptarja Mira Murati. Në Nju Jork një nga restorantet më të mira është restorant shqiptar. Këto janë shembujt që shpjegojnë diçka shumë më të madhe. Kapërcimi i Shqipërisë në botën e re nuk ishte aq i shpejtë. Por sekreti ishin të rinjtë si ju të cilët janë thelbësorë”- u shpreh zyrtari i lartë amerikan.

Gjithashtu sekretari Blinken u takua edhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliajn, ku ky i fundit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, shkruan se pati mundësinë që t’i tregonte Blinken, Piramidën e Tiranës që është investimi më i madh i përbashkët shqiptaro-amerikan në kryeqytet.

“Kënaqësi të bisedoja me Sekretarin Anthony Blinken e t’i tregoja investimin më të madh të përbashkët shqiptaro-amerikan në kryeqytet, Piramidën e Tiranës. Dje një simbol i izolimit e të shkuarës, sot një simbol i teknologjisë e të ardhmes”- u shpreh Veliaj në facebook.

Veliaj takohet me Blinken: Kënaqësi t'i tregoja investimin më të madh të përbashkët shqiptaro-amerikan në Kryeqytet, Piramidën e Tiranës

Pas takimit tek Piramida Sekretari Blinken u drejtua së bashku me kryeministrin Rama drejt Kryeministrisë, ku të pranishëm janë edhe ish ambasadorja Yuri Kim, si edhe disa ministra.

 

 

Kjo viziitë po mbahet nën masa të rrepta sigurie, ku ajo që u vu re ishte edhe eskorta e fortifikuar e numrit dy të administratës amerikanë, ku disa makina të blinduar shoqëruan Blinken deri në qendër të kryeqytetit.

Ndërkohë mbi 1 mijë forca policore, mes tyre dhe ato elitë të RENEA-s janë dislokuar në institucionet kryesore. Në tarracën e Pallatit të Kongreseve ka snajperistë. Të tillë janë dhe pranë zonës së kryeministrisë, në zonën e kuvendit dhe të korpusit universitar. Forca RENEA janë dislokuar dhe në rrugët hyrëse e dalësë te Tiranës.

Vizita është komentuar edhe nga figurat e opozitës të cilët e quajtën thelbësore këtë vizitë për partneritetin strategjik mes Shqipërsië dhe ShBA-së, ndërsa ish kryeministri Berisha nëpërmjet një statusi në rrjetet socilae, postoi një shkrim me titull: “Welcome to monist Albania.”

Edhe mediat e huaja kanë ndjekur vizitën historike, ku mes tyre “Washington Post” e cilësoi Shqipërinë si aleatin kyç të SHBA-ve në rajon.

Ndërkohë edhe “AP” ka raportuar mbi vizitën e Blinken në Shqipëri, ndërsa thekson se pjesë e dikutimeve janë edhe tensionet mes fqinjëve Kosovë dhe Serbi.

Ndërkohë DASH ka publikuar edhe axhendën e Sekretarit Blinken.

 

Axhenda:

SEKRETARI ANTONY J. BLINKEN

Sekretari Blinken është në udhëtim në Shqipëri dhe Gjermani nga 14-17 shkurt 2024.

Ora 13:35 Sekretari Blinken zhvillon një takim dhe përshëndet me punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe anëtarët e familjes në Tiranë, Shqipëri.

Ora 14:15 Sekretari Blinken takohet me aplikantët afganë për vizë emigruese speciale në Tiranë, Shqipëri.

Ora 15:05 Sekretari Blinken takohet me Presidentin shqiptar Bajram Begaj në Tiranë, Shqipëri.

Ora 3:35 Sekretari Blinken mban fjalim në një aktivitet të të rinjve dhe të diplomuarve me temë “ Festojmë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri” në Tiranë, Shqipëri.

Ora 16:15 Sekretari Blinken takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë, Shqipëri.

Ora 17:55 pasdite Sekretari Blinken merr pjesë në një ceremoni nënshkrimi për një Memorandum Mirëkuptimi mbi Shkëmbimin Akademik Fulbright dhe një Memorandum Mirëkuptimi Kundër Manipulimit Informativ të Shtetit të Huaj në Tiranë, Shqipëri.

Kjo ngjarje do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen kryesore të Departamentit dhe Kanali YouTube.

Ora 18:10 Sekretari Blinken dhe kryeministri shqiptar Edi Rama mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë, Shqipëri.