Vendosni fjalën kyçe....

Detyrimet e bizneseve ndaj tatimeve arrijnë në 1,5 miliardë euro më 2023, rritje vjetore me 6%


Detyrimet e papaguara të bizneseve dhe individëve ndaj administratës fiskale po rriten vit pas viti, pavarësisht se tashmë ka struktura të konsoliduara për arkëtimin tyre.

Të dhënat zyrtare referojnë se me 31 dhjetor 2023 detyrimet tatimore ishin mbi 155 miliardë lekë (1,5 miliardë euro). Gjatë vitit të kaluar borxhi tatimor pësoi rritje neto 8.4 miliardë lekë në krahasim me fillimin e vitit, ose 6%.

Nga stoku, rezulton se principali i detyrimeve tatimore të akumuluara përben rreth 61% të shumës totale, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre detyrimeve 39% e mbetur përbëhet nga penalitetet dhe kamatëvonesat.

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 36% në vlerë 55.3 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 44.8 miliardë lekë, zëri Të Tjera me 15% dhe në vlerë 23.9 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 15% në vlerë 22.5 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 4% në vlerë 5.9 miliardë lekë, TAP me 1% në vlerë 2,3 miliardë lekë dhe DIVA me 0.3% në vlerë 462 mln lekë.

Krahasuar me fundin e vitit 2022, gjatë këtij viti TVSH është rritur me 3.2 miliardë lekë, Tatim Fitimi me 2.1 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore me 2.1 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 0.6 miliardë lekë, zëri Të Tjera me 0.2 miliardë lekë, TAP me 0.2 miliardë lekë dhe DIVA me 0.06 miliardë lekë.

Në total stokun e borxhit miliardë lekë sipas vjetërsisë paraqitet detyrimet deri në 3 muaj zunë 3% ndaj totalit të stokut; borxhi nga 3 – 6 muaj 2% ndaj totalit të stokut; borxhi nga 6-12 muaj 4% ndaj totalit të stokut; borxhi nga 1-2 vjet zuri 8% ndaj totalit të stokut dhe borxhi me vjetërsi mbi 2 vjet në vlerë 127,7 miliardë lekë zuri 82% ndaj totalit të stokut.

Tatimpaguesit Aktivë zënë 36% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 40.8 miliardë lekë ose 26% të masës totale të borxhit. Tatimpaguesit Pasivë zënë 64% të numrit total të tatimpaguesve debitorë me një vlerë prej 114.4 miliardë lekë ose 74% të masës totale të borxhit.

Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara në DPT është shprehur se ka monitoruar ecurinë e stokut të detyrimeve dhe ka kryer analiza të situatës së detyrimeve në nivel tatimpaguesi dhe veçanërisht atyre më të mëdha.

Sipas DPT-së indikatori kyç për matjen e performancës së Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara është “Raporti i Detyrimeve Tatimore të Mbledhura, kundrejt detyrimeve të shtuara në të njëjtin vit. Ky raport për vitin 2023 është realizuar në masën 79.3%, rreth 11.2% më shumë krahasuar me vitin paraardhës. /B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor