Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e përbashkët me Blinken-in, Rama: Pa SHBA-të nuk do kishte Kosovë të pavarur, dialogu Prishtinë-Beograd duhet të vijojë


Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, tha se gjatë takimit me numrin 2 të SHBA-ve u diskutua edhe për zhvillimet e rajonit dhe konkretisht për dialogun Kosovë-Serbi.

Rama theksoi se shqiptarët nuk duhet të harrojnë se pa SHBA-të nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës.

“Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe shqetësime. Siç dihet Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë të miqësisë për të gjitha vendet e rajonit. Jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Është në interesin e popullit tonë që ta shikojë bashkimin me Europën si pjesë të pandarë të bashkimit të këtij rajoni rreth vlerash dhe parimesh që mishërojnë qenien tonë në komunitetin e madh të shteteve demokratike. E kemi nxitur dialogun e pazëvendësueshëm mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA-të, kanë qenë janë dhe do mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes përfundimtare të Kosovës dhe të përmbushjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA-të nuk do kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA-ve në këtë rajon dhe specifikisht interesi për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë nuk është interes i dorës së dytë”- u shpreh Rama.