Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut, ku u shpreh se ka ardhur koha për një president shqiptar.
Gjatë një vizite në Gostivar, Taravari deklaroi se është koha për një president të vërtetë shqiptar e jo teknik.
Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut mbahen më 8 maj.
“Me propozim të ASH-së dhe mbështetjes së Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN), unë sot jam këtu për të shpall kandidaturën për president të shtetit… Unë besoj se kjo ditë është ditë e duhur për t’ia filluar. Jam i sigurt në përkrahjen tuaj, pres me respekt votën e çdonjërit prej jush. Vendit i ka ardhur koha që të ketë një president shqiptar, por jo teknikisht. Ndryshimi ka filluar dhe kjo tani po shihet”, ka thënë Taravari.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut zgjidhet duke përdorur një sistem të modifikuar dy rundesh. Një kandidat mund të zgjidhet në rundin e parë të votimit vetëm nëse ata marrin ekuivalentin e mbi 50% të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar. Në rundin e dytë, pjesëmarrja e votuesve duhet të jetë së paku 40% që rezultati të konsiderohet i vlefshëm.
Aktualisht, president i Maqedonisë së Veriut është Stevo Pendarovski.
Ndërkaq kërkesa e Taravarit që ASH-ja të shkojë në zgjedhjet e 8 majit me opozitën shqiptare, ka nxitur reagime brenda partisë.
Sekretari i partisë ka thënë se ASH-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje.
ASH-ja aktualisht është pjesë e pushtetit me BDI-në, e cila ka kryeministrin teknik Talat Xhaferi.