Vëllai i Ibrahim Licit, ka përgënjeshtruar lajmin se ai është arrestuar në Turqi.
Sipas Hamza Licit, i vëllai është vetëdorëzuar në Turqi për të kërkuar azil pasi në Shqipëri i rrezikohet jeta.
Ai tha nga Turqia se i vëllai nuk ka besim të shteti e qeveria shqiptare.
“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë Policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia, shkruan BW.
Më herët Policia e Shtetit njoftoi se Ibrahim Lici ishte arrestuar në Turqi për llogari të drejtësisë shqiptare dhe pritej të ekstradohej drejt Tiranës pas kryerjes së procedurave.