Vendosni fjalën kyçe....

INTERVISTA KYÇE – Si u paketua jashtë Shqipërie vëllai i dëshmitarit të dosjes Beleri


Majtas Avdyl Rama, vëllai i Arsen Ramës, dëshmitari kyç i “Dosjes Beleri”, djathtas Fredi Beleri

Vëllai i dëshmitarit kyç të “Dosjes Beleri”, Avdyl Rama, ka dhënë një intervistë spontane një ditë pas arrestimit të Fredi Belerit e dy personave të tjerë, të akuzuar nga prokuroria për blerje votash lidhur me zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Çuditërisht, intervista e Avdyl Ramës u la në “harresë” nga prokuroria gjatë seancave gjyqësore ndaj Fredi Belerit, ndërsa avokatëve të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës iu hoq mundësia që ta pyesnin atë në sallë, pasi dikush u kujdes që ta largonte nga Shqipëria.

Ndryshe nga sa pohon ai me gojën e tij gjatë intervistës, se atij dhe familjarëve të tij nuk u është ofruar asnjë lek apo favor tjetër nga Fredi Beleri apo fushata e tij në këmbim të votës, në prokurori e polici ai ka dhënë një tjetër deklaratë nën trysninë e autoriteteve.

Pas kësaj, Avdyl Rama është larguar nga Shqipëria pasi dikush u kujdes që ai të ikte, ndërkohë që SPAK kërkoi 2.6 vite burg për Belerin në seancën e para tre ditëve.

Çfarë deklaroi Advyl Rama gjatë intervistës

1. Asnjë dijeni personale apo të famijarëve lidhur me audiopërgjimin e të vëllait, Arsen Ramës, dëshmitar kyç në dosjen Beleri. Çdo gjë e kanë marrë vesh në media.

 

2. Një ditë pas arrestimit të Belerit, policia ka marrë në  polici të vëllanë, babanë dhe disa familjarë të tjerë për t’i pyetur.

 

3. Nuk u është ofruar kurrë lekë apo favore të tjera nga Fredi Beleri e bashkëpunëtorët e tij në këmbim të votës. Në takimet ku ka marrë pjesë nuk është diskutuar kurrë për lekë, vota, lista emrash.

 

4. Të gjitha bisedat e të vëllait me Fredi Belerin kanë qenë rreth peshkut që ai i çonte në dyqan.

 

5. Familjarët që kanë dhënë dëshmi në polici një ditë pas arrestimit të Belerit mund të kenë pasur probleme të shëndetit mendor.

 

6. Atyre nuk u është ofruar kategorikisht asnjë lek dhe asgjë tjetër nga asnjë palë.

 

7. Ai hedh dyshime lidhur me audiopërgjimin  e të vëllait dhe kërkon zbardhjen e ngjarjes. Ka dhënë dëshmi në polici një orë pas mbylljes së fushatës së Fredi Belerit.

Dëshmia e Avdyl Ramës në prokurori

Avdyl Rama ka qenë dëshmitari i tretë i rëndësishëm gjatë seancave ndaj Fredi Belerit.

Fillimisht ai nuk u paraqit në gjykatë duke zgjatur me një muaj më shumë paraburgimin e Belerit.

Ndërsa në dëshminë e dhënë një muaj më vonë ai ka pohuar në prokurori të kundërtën e asaj që kishte thënë më herët e më pas është larguar nga vendi.

Dëshmitarët e tjerë të akuzës kanë pohuar në prokurori se nuk e njohin Belerin, Arsen Ramën, dëshmitarin kyç dhe se nuk kanë votuar në zgjedhjet e 14 majit.

Intervista “e harruar” e Avdyl Ramës një ditë pas arrestimit të Fredi Belerit

Avdyl Rama: Ne jemi peshkatarë, kemi 15 vjet në zonën e Himarës, peshkojmë familjarisht. Para 3 tre vitesh kemi pas edhe një aksident që na ka bërë disi të njohur fatkeqësisht. Jemi nga Vlora dhe aktualisht jetojmë në Himarë.

Gazetari: Ju jeni Avdyl Rama, vëllai i një prej personave të dyshuar që ka bërë audiopërgjimin, pasi mbetet për t’u vendosur nga gjykata dhe prokuroria kundrejt kandidatit Alfred Beleri. Keni dijeni rreth kësaj ngjarjeje, çfarë ka ndodhur.

Avdyl Rama: Nuk kemi absolutisht fare dijeni. Çdo gjë e kemi marrë vesh nga media që ka dalë dhe nuk e dimë fiks rolin që ka patur i dyshuari në këtë dosje përgjimi. Nuk kam pasur kontakt fare me vëllain tim, përveç ditës që është arrestuar Fredi Beleri. Në orën 2 të natës policia na ka marrë familjarët në pyetje dhe që prej asaj dite nuk kam pasur kontakt apo të kemi lidhje me çfarë ka ndodhur me vëllain tim. Policia ka marrë vetëm vëllain tim, babain dhe disa familjarë tanët që nuk jetojnë këtu po jetojnë në Palasë. Kanë dhënë dëshmi në komisariat. Nga ajo që unë kam pyetur nuk kanë pas lidhje fare me këtë pjesë. Nuk kanë lidhje as kontakt me Fredi Belerin. Nuk kanë pas lidhje as me personin tjetër që mbahet i arrestuar. Nuk kanë qenë takuar asnjëherë dhe nuk kanë marrë asnjëherë lekë për këtë pjesë.

Gazetari: Juve ju është ofruar ndonjë lek në këmbim të votës?

Avdyl Rama: Absolutisht, jo vetëm që nuk më është ofruar asnjëherë lek apo favor po me Fredi Belerin dhe gjithë këtu në Himarë kam pas kontakte të vazhdueshme dhe për sa kohë unë kam qenë atje në ato bisedat që ata kanë bërë, nuk është diskutuar kurrë kjo pjesa e lekëve, e votave, e listave dhe e gjërave.

Gazetari: Vëllai ju me Fredi Belerin kanë pas raport miqësor? Njihen?

Avdyl Rama: Me Fredi Belerin raport miqësor kemi pasur të gjithë, familjarisht, komuniteti i Himarës dhe të gjithë.  Për Fredi Blerin si person do flas. Është pavarësisht si e solli rrethana dhe çfarë ndodhi, për ne ai është një mik i mirë. Nuk kemi pasur asnjëherë probleme të kësaj natyre. Jo me atë, po me asnjë. Në lidhje me çfarë di unë, personi i dyshuar në këtë dosje ka pasur marrëdhënie thjesht se i çonte peshk te dyqani i tij. Dhe mesa di unë, çdo lloj bisede që mund të kenë bërë, përveçse për muhabet peshku, për asnjë lloj gjë tjetër.

Gazetari: Ju mund të cilësoheni edhe viktimë nga kjo ngjarje pasi a e ka zhvilluar a jo vëllai jot pritet që të japë gjykata dhe sa fajtor janë palët por opinion publik tashmë rëndon te ju. Si po e përballoni dhe çfarë impakti ka kjo ngjarje te ju personalisht

Avdyl Rama: Është një situatë e vështirë për ne, moralisht sepse ne nuk mbajmë asnjë lloj përgjegjësie për familjen e të dyshuarit sepse ai jeton mënjanë. Nuk kemi përgjegjësi fare lidhur me veprimet që ai ka kryer. Dua të jap një detaj tjetër që ai, tani që flasim është vetëm 22 vjeç. Dhe nuk i dimë akoma rrethanat, situatat, çdo gjë e kemi marrë vesh nga media. S’kemi pas kontakt me asnjë lloj personi fare. Moralisht na bie edhe ne një pjesë përgjegjësie lidhur me këtë rast, po përgjegjësi tjetër nuk kemi. Nuk kemi asgjë për të shtuar, apo për të mbajtur anën apo për të bërë avokatin, as të njërit, as të tjetrit.

Gazetari: Nëse vëllai juaj e ka bërë apo është personi që e ka bërë audiopërgjimin keni dyshime se mund të jetë përdorur nga persona të ndryshëm apo strukturat e shtetit?

Avdyl Rama: Atë gjë nëse e ka bërë duhet të zbardhet sa më shpejt. Mënyra si është përdorur, kush e ka përdorur, çfarë i është ofruar  nëse i është ofruar sepse është një situatë shumë e vështirë për ne dhe një situatë që s’jemi përball asnjëherë.

Gazetari: Ju keni qenë edhe pjesë e listës le të themi e cila është dorëzuar në polici. Një listë me 15 emra që do të jepeshin, të paktën nga dosja e prokurorisë pretendohet se do jepeshin lekë në favor të votave të këtyre personave. Keni dijeni në lidhje me këtë listë.

Avdyl Rama: E kemi marrë vesh vetëm në media. Mesa di te ajo listë janë përfshirë shumica e familjarëe që jetojnë apo janë pjestarë apo votues të Bashkisë së Himarës. Mesa di dhe i njoh ata persona mund të them me përgjegjësi të plotë se disa prej tyre që kanë dhënë edhe dëshminë mund të kenë patur edhe probleme të shëndetit mendor. Në  vazhdim dhe nga kjo ngjarje.

Gazetari: Nga ajo çfarë ke fol me familjarët, ndonjë prej tyre iu është ofruar lekë për votën apo jo?

Avdyl Rama: Në mënyrë kategorike. Në asnjë lloj pale. Nuk jemi përfshirë fare në këtë pjesë dhe nuk na është ofruar dhe nuk kemi kërkuar dhe nuk kemi biseduar me asnjë për këtë pjesë. Mesa kam qenë unë prezent dhe mesa kam unë dijeni. Ne jemi familje që punojmë me djersën tonë. Jemi familje që nuk i kemi rënë njeriu në qafë, por ndodhi që kjo gjë të na rëndojë shumë. Por gjithmonë them nuk kemi patur dijeni dhe nuk kemi absolutisht asnjë lloj provokimi, pyetje dhe këto historira.

Thjesht çdo gjë ndodhi pas shoqërimit të familjarëve tanë në polici. Ditë pas dite shfaqeshin prova të reja dhe çdo gjë u kuptua mesa kemi arritur të shikojmë nga media që mund ta ketë bërë ai këtë përgjim. Gjithmonë them mundet sepse gjërat keqinterpretohen, gjërat marrin rrjedhë tjetër. Duhet patur parasysh që pa u zbardhur e vërteta dhe kush ka qenë roli, në qoftë se ka pasur rol nuk mund të flasim më shumë për këtë pjesë.

Gazetari: Do ishit të paktën të gatshëm ta dëshmonit në gjykatë kaq sa ju thatë apo aq sa keni dijeni?

Avdyl Rama: Unë kam bërë deklarimin në polici.më kanë thërritur ditën që Fredi Beleri mbylli fushatën, një orë mbas fushatës jam thirrur në polici. Kam dhënë sqarimet e mia. Gjërat ishin të shkrojtura dhe besoj se do jetë pjesë e asaj dosjeje.

Gazetari: Një mesazh për ta përmbyllur për të gjithë ata banorë të Himarës që  ju bëjnë juve fajtor. Çfarë doni  t’u thoni apo çfarë mund t’u thoni.

Avdyl Rama: Të shprehur deri tani që na kanë ngarkuar me faj nuk ka thënë asnjeri që na ka vënë ne fajtorë. Duhet të dinë një gjë, që në asnjë rast unë personalisht, babai im, sepse ne jetojmë mënjanë dhe të tjerë njerëz,  në asnjë rast, as jemi marrë fare me këto punë, as kemi marrë ndërmend apo as kemi marrë iniciativë të bisedojmë biseda të tilla. As nuk kemi marrë pjesë le të themi në këto lloj fushatash. Fushata jonë e vetme është puna që ne bëjmë çdo ditë.  Dhe jemi njerëz të ndershëm që mundohemi të jetojmë brenda ligjeve dhe normave shoqëror edhe ligjore. /Hashtag.al

*Intervistën e plotë të Avdyl Ramës mund ta ndiqni më poshtë