Vendosni fjalën kyçe....

Rreziku i pensioneve, borxhi ndaj sigurimeve arriti në 214 mln euro, u zgjerua me 10% më 2023


Sigurimet shoqërore dhe shëndetësore vijnë të parat në hierarkinë e pagesave të tatimeve dhe taksave nga individët dhe bizneset, por vit pas viti po vihet re një shthurje e përgjegjësisë për të kryer pagesat.

Krijimi i detyrimeve në këtë zë nuk cenon vetëm stabilitetin fiskal aktualisht, por bëhet shkak për një problem të rëndë social në të ardhmen.

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet borxhet e papaguara të bizneseve dhe administratës publike në formën e sigurimeve shoqërore arritën 22,5 miliardë lekë (214 mln euro) në vitin 2023, duke u zgjeruar me 10 për qind.

Borxhi ndaj sigurimeve shoqërore është zgjeruar më shpejtësi vitet e fundit. Në krahasim me vitin 2018 detyrimet në këtë zë u rriten me 63 %.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve referoi se vitin e kaluar 141 tatimpagues janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar, nga të cilët 55 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i madh” dhe 86 subjekte janë të përgjegjësisë tatimore “biznes i vogël”.

Për vitin 2023, të ardhurat nga Kontributet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore ishin programuar 139.9 miliard lekë dhe janë realizuar 139.3 miliard lekë, me një mosrealizim prej 645 milion lekë ose 0.5% më pak. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ku të ardhurat nga KSSHSH ishin 118.5 miliard lekë, rezultatet janë në rritje me 20.8 miliard lekë ose 17.6 % më shumë.

Borxhi ndaj sigurimeve shoqërorë është pjesa ma e keqe e borxhit tatimor për shkak të dramës sociale që mbart. Mijëra punonjës që aktualisht punojnë në shtet apo në privat rrezikojnë të mbeten pa pension në pleqëri.

Fenomeni është i përhapur edhe në entet publike. Njësitë buxhetore që administrohen nga pushteti lokal, të tilla si, ndërmarrje ujësjellësi, drejtori arsimore, punonjës së pastrim gjelbërimit shpesh nuk paguajnë sigurimet, pasi fondet për këtë qëllim transferohen në shpenzime të tjera.

Në vend të frenohet, ky borxh po zgjerohet me shpejtësi nga viti në vit, duke vëne në vështirësi jo vetëm arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.

Në kushtet e mospagesës së sigurimeve buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektale e Monitor