Vendosni fjalën kyçe....

Dhunoi dhe i publikoi video intime në rrjetet sociale bashkëshortes, Balla: Policia të rrisë vigjilencën, të mbrohen gratë dhe vajzat


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas dy arrestimeve në Fier të dy  personave që kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëshortëve të tyre, ku njëri prej tyre i kishte publikuar edhe video intime në rrjetet sociale.

Balla shkruan se është detyra e Policisë të rrisim vigjilencën dhe ta adresojë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj. Balla shton se duhen marrë masa për të parandaluar dhunën ndaj vajzave, grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit.

Reagimi i Ballës:

Policia e Shtetit Fier ka ndaluar sot një tjetër dhunues. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë edhe më shumë publike dhe ku na duhet angazhimi i të gjithë shoqërisë sonë. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo duhet të na shqetësojë të gjithëve, ndërsa viktimat e dhunës seksuale dhe me bazë gjinore duhet të mbrohen dhe trajtohen me dinjitet e respekt. Është detyra jonë, është detyra e Policisë së Shtetit të rrisim vigjilencën dhe ta adresojmë me vendosmëri dhunën në të gjitha format e saj dhe të marrim masat për të parandaluar dhunën ndaj vajzave, grave, për të mbrojtur viktimat dhe për t’i ndjekur penalisht autorët e krimit. Viktimat e dhunës nuk duhen stigmatizuar, por duhet t’ju ofrojmë mbrojtje, mbështetje dhe ri-integrim të plotë në punë dhe shoqëri.

Njoftimi i policisë për rastet përkatëse:

Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, arrestohen në flagrancë, brenda 12 orëve, 2 shtetas, për dhunë ndaj familjarëve.

Dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten, e përndiqte dhe i shpërndau në rrjete sociale, një video intime, Policia vë në pranga 29-vjeçarin.

Shkeli urdhrin e mbrojtjes dhe dhunoi ish-bashkëshorten, Policia vë në pranga 38-vjeçarin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas denoncimit nga një shtetase 27 vjeçe se bashkëshorti i saj kishte ushtruar sistematikisht dhunë fizike dhe psikologjike dhe për këtë arsye kjo shtetase ishte larguar tek prindërit në Kosovë, organizuan punën për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. B., 29 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, në mënyrë sistematike, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, e përndiqte dhe i kishte shpërndarë një video intime të saj, në rrjetet sociale.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e vogël lende e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos arrestuan në flagrancë shtetasin Z. M., 38 vjeç, banues në Patos, pasi ka dhunuar ish-bashkëshorten e tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja”, “Dhunimi i banesës” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.