Të paktën 340 persona janë arrestuar në 30 qytete ruse që nga vdekja e Alexei Navalny, kundërshtari i presidentit Putin, sipas grupit të të drejtave OVD-Info.
Kjo është vala më e madhe e arrestimeve në ngjarjet politike në Rusi që nga shtatori 2022, kur më shumë se 1300 u arrestuan në demonstratat kundër një “mobilizimi të pjesshëm” të rezervistëve për fushatën ushtarake në Ukrainë.
Navalny, një ish-avokat 47-vjeçar, ra pa ndjenja dhe vdiq të premten pas një shëtitjeje në burgun “Polar Wolf” në Arktik ku po vuante një dënim prej tre dekadash, tha shërbimi i burgut.
OVD-Info, e cila raporton për lirinë e tubimit në Rusi, tha se numri më i madh i arrestimeve të shtunën ndodhën në Shën Petersburg dhe Moskë, ku lëvizja e Navalnyt ishte tradicionalisht e fortë, me 74 dhe 49 të arrestuar.
Pamjet e filmuara nga Reuters të shtunën në Shën Petersburg treguan dhjetëra të mbledhur pranë një monumenti për viktimat e represionit. Protestuesit vendosën lule dhe qirinj, ndërsa disa kënduan himne dhe të tjerë u përqafuan me njëri-tjetrin duke derdhur lot.
Një reporter i Reuters në vendngjarje tha se rreth 30 persona u arrestuan menjëherë pasi mbaroi këndimi.
OVD-Info raportoi gjithashtu arrestime individuale në qytete më të vogla në të gjithë Rusinë, nga qyteti kufitar i Belgorodit, ku shtatë u vranë në një sulm me raketa ukrainase të enjten, deri në Vorkuta, një qytet minierash në Arktik, dikur një qendër e kampeve të punës të njohura si gulag në epokën e Stalinit.