Forcimi i lekut përballë valutave e kryesisht ndaj euros dhe dollarit pritet të ketë rol të rëndësishëm në reduktimin e inflacionit edhe për këtë vit, i cili pritet të zbresë në 3% brenda 2024-ës.
Banka e Shqipërisë gjykon se kursi aktual i këmbimit ku euro po këmbehet afër 104 lekë dhe dollari pranë 96 lekë do të vazhdojë në këto nivele përgjatë gjithë vitit, e që do të ketë ndikim pozitiv në ulje të mëtejshme të inflacionit.
Po ashtu në raportin e Politikës Monetare thuhet se pritshmëritë për ulje të inflacionit mbështeten tek reduktimi i kërkesës për mallra dhe balancimi i tregut të punës.
“Inflacioni pritet të vijojë të bjerë gjatë vitit 2024, duke pasqyruar pritjet për një ecuri më të balancuar midis kërkesës dhe ofertës në ekonomi, balancë e cila do të mundësojë një kontroll më të mirë mbi kostot e prodhimit dhe marzhet e fitimit. Paralelisht me të, rënia graduale e inflacionit në partnerët tanë tregtarë dhe ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit pritet të reduktojnë më tej presionet e huaja inflacioniste”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Forcimi i lekut bën të mundur, që mallrat e importit të mos kushtojnë shumë në tregjet e vendit, për shkak se konvertimi i valutave në lekë ka qenë mbi 10% më i ulët vjet se në 2022.
Por nga ana tjetër, kursi i këmbimit është shkaku i tretë kryesor sipas Bankës së Shqipërisë që ka ndikuar në rënien e eksporteve.
“Rënia e eksportit të mallrave gjatë vitit 2023 u diktua nga një kombinim negativ faktorësh: ecurisë jo të mirë ekonomike të partnerit tonë kryesor tregtar, rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare, si dhe forcimit të kursit të këmbimit, i cili redukton më tej të ardhurat e eksportuesve të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit”, thuhet në raport.
Eksportet e mallrave përgjatë vitit 2023 u ulën me 9.5% dhe arritën në vlerën 440 miliardë lekë, po ashtu me 8.2% u ul edhe vlera e importeve, pasi bizneset vendase kanë blerë jashtë vendit produkte me vlerë 873 miliardë lekë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com