Një 41 vjeçar është arrestuar nga policia në Kamëz pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik narkotikësh.
Në pranga ka rënë P.S, banues në Kamëz. Ndaj tij gjykata e Perugias në vitin 2023 ka caktuar masën e arrestit me burg për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Në vitin 2022, 41 vjeçari në bashkëpunim me disa persona të tjerë krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 3”.
Operacioni nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme policore, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
I kërkuar në Itali, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, lokalizohet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi, 41-vjeçari.
Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 3”.
Gjatë operacionit, në Kamëz, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar P. S, 41 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Perugias, Itali, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.
Në vitin 2022, ky shtetas në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi”, njofton policia.