Nga Mero Baze
Ka dy përpjekje për ta bërë interesant 20 shkurtin nga opozita. E para është motivimi me festën e bashkimit opozitar që identifikohet me çiftin e ri Bardhi Noka të cilët po shëtisin qytet më qytet si provë e martesës.
Përpjekja tjetër është stërmundimi për të krijuar idenë që më 20 Shkurt në Tiranë do ketë dhunë deri më armë zjarri. Ana qesharake e këtij “kërcënimi” është se kjo nuk është zyrtare, pasi dhe vet organizatorët nuk e dinë se ç’mund të bëj populli. Dhe këtë e kanë ilustruar me disa psikopatë që i thërrasin posht penxheres së Berishës apo të tjerë në rrjete sociale.
Për tu bërë dhe më konspirativë, çifti i ri opozitar Bardhi Noka, flasin vetëm për surpriza, të cilat po ashtu nuk varen prej tyre po varen nga populli.
Tani është mirë të bëhemi serioz, se në fund të fundit nuk është protestë për hall të popullit por protestë për hall të Berishës.
Përpjekja për të bërë protestë duke hap thashetheme konspirative, ka vetëm një arsyetim. Duke e ditur që nuk ke këllqe të bësh asgjë, hap fjalë se ndoshta kujtohet ndonjë i çmendur e bën diçka. Po bëri mirë. Po nuk bëri dhe çifti opozitar është në rregull se nuk ka premtuar gjë.
Kjo tregon se çifti i ri opozitar e ka mbështetur strategjinë tek shpresa se ose populli ose ndonjë i çmendur, do bëj diçka. Por jo tek ndonjë plan i vet opozitës.
Pra më 20 shkurt ata do jenë në rrugë duke shpresuar se dikush do ti ndihmojë të bëjnë ndonjë heroizëm.
Kjo ka të mirat e saj.
E mira e kësaj strategjie është që kur të mblidhen gjithsej nja 2 mij vet dhe të mos ndodh asgjë përveç se të dëgjojnë Flamurin të flas, do thonë kështu e kishim planin nuk do bënim rrëmuja. Dhe me këtë rast do justifikojnë dhe pjesëmarrjen e ulët se janë trembur nga rrëmujat.
E keqja e kësaj strategjie është se kjo protestë është si fisheku i fundit për atë burrin që del çdo natë ne penxhere. Ai e ka betejë për jetë a vdekje që të mund të tremb drejtësinë apo të tregoj se nuk durohet kollaj.
Prandaj kjo çështje e dhunës nuk duhet lënë kështu spontanisht në dorë të popullit apo të të çmendurve poshtë penxheres. Bëhuni pak më serioz dhe merreni përsipër vet. Se mund të ndodh mrekullia dhe bën ndonjë gjest heroik ndonjë i çmendur dhe pastaj u ikën gjithë kreditë si udhëheqës opozitarë.
Ndajeni mendjen si do ta bëni këtë protestën e 20 Shkurtit. Si dasmë që do kurorëzoni çiftin Bardhi Noka, apo si 14 shtatori me arkivol në krah?
Se Bulevardi ku do ta bëni, është bërë në vite, si ato lokalet nga rruga e Ndroqit që shtrojnë dreka, edhe për dasma edhe për vdekje.
Nëse do bëni dasmën e martesës së Bardhit me Nokën, duhet atmosferë festive dhe hare. Madje mund të porosisni dhe këngëtarë dasmash për të hap mitingun.
Nëse doni ta bëni si 14 Shtatori u duhet një arkivol dhe duhet të zgjidhni kë do fusni brenda. Dhe i vetmi që mund të motivoj njerëzit si i vdekur është ai burri tek penxherja por ai nuk është aq budalla. Më parë fut opozitën në atë arkivol se veten. Dhe atë ka për të futur.