Dy kompanitë përgjegjëse për aksin rrugor Korçë-Ersekë, kanë përfunduar në SPAK pas shembjes së një pjese të saj ende pa u inaguruar. Pamjet u publikuan me shpejtësi në media dhe tregojnë sesi një nga nyjet kryesore të aksit të ri është shembur duke u kthyer në gropë gjigande.
Kompania “A.N.K” shpk në pronësi të shtetasit Agim Kola, vëllai i ish-deputetit socialist Ndue Kola dhe kompania “A&E ENGINEERING”, në pronësi të inxhinieres Entela Çano janë kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme për procedurat e ndjekura në këtë aks rrugor.
Avokati korçar Esmerald Xhafa ka depozituar kallëzim penal në SPAK për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Tenderimi i kësaj rruge është denoncuar prej vitit 2020 nga Partia Demokratike, për shkak të klientelizmit, vlerës së tejfryrë, përfitimit të saj në kufij 100% të fondit limit por edhe zvarritjes së përfundimit të saj.
Për lotin e dytë të rrugës Korçë – Ersekë me gjatësi 17 kilometër janë paguar 50 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që kompania fituese A.N.K” shpk ka përfituar edhe 4 milionë euro shtesë për punime të paparashikuara.
Në një nga pjesët e lotit të dytë të kësaj rruge, pavarësisht se projekti ka qenë 1 milion euro/kilometër, zbatimi i tij është zvarritur për ta ndryshuar dhe tenderuar për 5 milionë euro për kilometër, në një rrugë më një gjatësi vetëm 4 kilometër.
Por edhe përse janë dhënë miliona euro për një aks rrugor që ka nisur që në vitin 2013 dhe i ka kushtuar shtrenjtë Buxhetit të Shtetit, kompania “A.N.K” shpk në pronësi të vëllait të ish-deputetit të PS dhe mbikëqyrësja e punimeve “A&E ENGINEERING”, në pronësi të inxhinieres Entela Çanos e kanë lënë atë “rrugëve”.
Shembja masive në një pjesë të saj duke krijuar një gropë gjigande në rrugë, ka rrezikuar jetën e qytetarëve, sepse qarkullimi aty ishte hapur. Edhe përse e kolauduar, asfalti dhe bordurat anësore të betonit janë shembur.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e News bomb