Pa kaluar shumë kohë nga hedhja e një videoje në rrjetin social tik-tok, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ka bërë një reagim mbi vet postimin e saj, ku ka falenderuar ‘gjobëvënësit mediatikë’ për publicitetin që i kanë bërë llogarisë së saj të tik-tok-ut.
Në videon e postuar e cila është bërë virale, ministrja Balluku duket sikur “ngec” mbi një informacion që do të japë mbi samitin e zhvilluar në Dubai për klimën, por kjo është veçse një truk nga ana e ministres, për t’i dhënë videos më shumë lezet dhe për ta bërë më integruese në këtë rrjet social.
Balluku në reagimin e saj shkruan se: “Falënderoj shumë gjobëvënësit për publicitetin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë këto orë të para të llogarisë time të re në Tik Tok dhe i bëj me dije, se videot në atë llogari do të jenë gjithmonë pikante, ndaj të më ndjekin me vëmendje, si zakonisht dhe të vazhdojnë publicitetin.”
Postimi:
Ndërkohë që po ndjek me kërshëri, se si abuzohet me informacionin, edhe atë më të thjeshtin, bëj me dije se kam hapur një llogari në Tik-Tok, për të qenë prezente në një tjetër grup audience. Video me të cilën kam nisur këtë llogari, e kam postuar vetë, pasi edhe ministrat apo politikanët, janë po aq njerëz sa çdo spiker, gazetar, bloger etj.
Falënderoj shumë gjobëvënësit për publicitetin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë këto orë të para të llogarisë time të re në Tik Tok dhe i bëj me dije, se videot në atë llogari do të jenë gjithmonë pikante, ndaj të më ndjekin me vëmendje, si zakonisht dhe të vazhdojnë publicitetin🙏😂