Vendosni fjalën kyçe....

Lufta e informacionit, si e organizoi Kremlini fushatën e dezinformimit ndaj krerëve të Ukrainës – WP


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shtrëngon dorën me gjeneralin Valery Zaluzhny në një ceremoni në gusht në Kiev. Edhe para shkarkimit nga Zelensky të Zaluzhny si komandant i tij më i lartë ushtarak, strategët online të Kremlinit u përpoqën të përforcojnë tensionet midis dy burrave

Kur u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar lajmet se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po përgatitej të shkarkonte komandantin e tij të lartë ushtarak, Gjeneralin Valery Zaluzhny, zyrtarët në Moskë dukeshin të gëzuar. Ata ishin përpjekur të orkestronin një ndarje të tillë për shumë muaj, tregojnë dokumentet.

“Duhet të forcojmë konfliktin midis Zaluzhny-t dhe Zelensky-t, në mënyrë që ‘ai të synojë ta shkarkojë atë’”, shkroi një strateg politik i Kremlinit një vit më parë, pas një takimi të zyrtarëve të lartë rusë dhe ‘spin doktorëve’ në Moskë, sipas dokumenteve të brendshme të Kremlinit.

Administrata e presidentit rus Putin urdhëroi një grup strategësh politikë rusë që të përdorin mediat sociale dhe artikujt e lajmeve të rreme për të nxitur temën se Zelensky “është histerik dhe i dobët. …Ai ka frikë se do spostohet mënjanë, prandaj ai po shpëton nga ata që e rrezikojnë.”

Udhëzimi i Kremlinit çoi në mijëra postime në mediat sociale dhe qindra shkrime të fabrikuara, të krijuara nga karremet dhe të qarkulluara në Ukrainë dhe në gjithë Evropën, që u përpoqën të shfrytëzonin tensionet e përfolura në atë kohë midis dy krerëve ukrainas, sipas një grumbulli dokumentesh të Kremlinit të marra nga një shërbim inteligjent evropian dhe rishikuar nga The Washington Post.

Dosjet, që numëronin më shumë se 100 dokumente, u ndanë me The Post për të shpalosur për herë të parë shkallën e propagandës së Kremlinit që kishte në shënjestër Zelenskyn me qëllim të ndarjes dhe destabilizimit të shoqërisë ukrainase – përpjekje që Moska i quajti “operacione psikologjike informacioni”.

Shoqëria ukrainase, megjithatë, deri më tani ka mbetur jashtëzakonisht e bashkuar që nga pushtimi i Rusisë, sipas sondazheve të opinionit, dhe zyrtarët në Moskë, tregojnë dokumentet, ndonjëherë shprehën zhgënjimin për paaftësinë e tyre për të minuar Zelenskyn dhe për të nxitur ndarjen. Njëri prej tyre u ankua në një shkëmbim se presidenti ukrainas ishte si “Brad Pitt”, një yll global me një përfytyrim që nuk mund të njolloset.

Por me Gjeneralin Zaluzhny tani jashtë, linjat e frontit të ngrira dhe mbështetjen e mëtejshme ushtarake dhe financiare nga Shtetet e Bashkuara të pasigurt, disa në Kiev janë të shqetësuar se përpjekjet e fshehta propagandistike të Rusisë mund të fillojnë të gërryejnë kohezionin dhe moralin kombëtar.

“Kohët më të vështira janë përpara,” tha një zyrtar i lartë evropian i sigurisë, i cili, si të tjerët, foli në kushte anonimiteti.

“Rusia mbijetoi dhe ata po përgatisin një fushatë të re e cila përbëhet nga tre drejtime kryesore: së pari, presioni në vijën e parë; së dyti, sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase; dhe së treti, kjo fushatë destabilizimi.”

Sergei Kiriyenko, zëvendësshefi i parë i kabinetit të Kremlinit, në një pritje të vitit 2018. Në fund të vitit 2022, ai ngriti një ekip për të synuar Ukrainën me dezinformata; në fillim të vitit 2023, ai parashtroi misionin e ekipit

Katër objektivat kryesore të Moskës

Dokumentet tregojnë se si në janar 2023 zëvendësshefi i parë i kabinetit të Kremlinit, Sergei Kiriyenko, ngarkoi një ekip zyrtarësh dhe strategësh politikë që të krijonin një prani në mediat sociale të Ukrainës për të shpërndarë dezinformata.

Përpjekja u ndërtua në një projekt të mëparshëm që Kiriyenko, një ndihmës prej shumë kohësh i Putinit, kishte drejtuar për të përmbysur mbështetjen perëndimore për Ukrainën, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, tregon raportimi i mëparshëm nga The Post.

Grupi i propagandës evropiane mbikëqyrej nga një prej zëvendëseve të Kiriyenkos, Tatyana Matveeva, kryetarja e departamentit të Kremlinit për zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, tregojnë dokumentet.

Në fund të vitit 2022, pasi Ukraina i shtyu forcat ruse në rajonet Kharkiv dhe Kherson dhe zyrtarët në Kiev filluan të flasin për një kundërofensivë të madhe pranverore në lindje dhe jug, Kiriyenko bashkoi një ekip të dytë të përqendruar në destabilizimin e vetë Ukrainës, tregojonë dokumentet.

Ajo përpjekje u drejtua nga një prej zëvendësve të tij më të afërt, Alexander Kharichev, një burokrat i njohur në disa qarqe të Moskës si “rregulluesi” ose “përpunuesi i zgjedhjeve”, sepse ai siguron që zgjedhjet e brendshme të shkojnë në rrugën e Kremlinit.

Në një takim të 16 janarit 2023, Kiriyenko parashtroi katër objektiva kryesore për ekipin e propagandës së Ukrainës: diskreditimin e udhëheqjes ushtarake dhe politike të Kievit, ndarjen e elitës ukrainase, demoralizimin e trupave ukrainase dhe çorientimin e popullsisë ukrainase, tregojnë dokumentet.

Suksesi i ekipit duhej të matej sipas treguesve kryesorë: ata duhej të “ulnin vlerësimet e personelit kyç në zyrën e Zelenskyt, qeverinë ukrainase dhe komandën e forcave të armatosura të Ukrainës” dhe të rrisnin besimin në mesin e popullatës ukrainase se elita e vendit punonte vetëm për vete.

“Rritja e numrit të shkarkimeve të qeverisë dhe konflikteve publike” do ishte gjithashtu një shenjë e arritjes. Për të rritur frikën dhe ankthin, humbjet e luftës në Ukrainë duhej të ekzagjeroheshin”, thuhet në dokumente.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, Kharichev dhe Matveeva nuk iu përgjigjën kërkesave të hollësishme për koment mbi përmbajtjen e dokumenteve.

Dokumentet tregojnë se progresi u mbikëqyr në takimet pothuajse javore të Kremlinit, ku strategët dhanë prezantime në panel, duke shfaqur postimet më të lexuara që ata kishin vendosur në mediat sociale ukrainase dhe duke renditur shpërndarjen e përgjithshme të rezultateve të tyre.

Ata gjithashtu zhvilluan sondazhe javore të opinionit mbi nivelin e besimit tek Zelensky dhe udhëheqja ushtarake e vendit.

Ndër materialet që ata theksuan ishte një postim i sajuar në Facebook ku pretendohej se familja e një ushtari të rënë nuk kishte marrë asnjë ndihmë nga shteti, i cili mblodhi më shumë se 2 milionë shikime, sipas një prej prezantimeve të panelit.

Sipas një tjetri, një postim kryesor për qëllimin e çorientimit të popullsisë ishte një video e rreme në Telegram që pretendonte se qëllimi kryesor i luftës i autoriteteve në Kiev ishte “të luftonin deri në ukrainasin e fundit”.

Zelensky viziton qytetin Kherson qershorin e kaluar pas shkatërrimit të një dige atje. Përpjekja e Kremlinit për dezinformim përfshinte histori që aleatët perëndimorë të Zelenskyt po kërkonin ta zëvendësonin atë

Duke filluar nga zeroja

Në fillim të marsit, dhjetëra karreme të punësuar po nxirrnin më shumë se 1,300 tekste dhe 37,000 komente në mediat sociale të Ukrainës çdo javë, sipas një prej prezantimeve të panelit të kontrollit. Të dhënat tregojnë se punonjësit në fermat e karemeve fitonin 60,000 rubla në muaj, ose 660 dollarë, për të shkruar 100 komente në ditë.

Shumica e raporteve të strategëve drejtuar zotërinjve të tyre politikë u përqendruan në vëllimin e përmbajtjes së prodhuar dhe në numrin e përgjithshëm të shikimeve, por për pesë muajt e parë, ata ofruan pak prova se përpjekja kishte ndonjë ndikim te ukrainasit. Sondazhet e kryera nga Kremlini treguan se besimi te Zelensky mbeti vijimësisht i lartë, me 68 deri në 73.3 për qind të ukrainasve që i besonin presidentit nga shkurti deri në qershor.

Megjithatë, deri në gusht, sondazhet e Kremlinit treguan se kjo masë po binte në 65.4 për qind. Është e pamundur të vlerësohet saktësia e këtyre sondazheve dhe është e paqartë se si rusët po i kryejnë ato në Ukrainë.

Një sondazh nga “Qendra Razumkov” me bazë në Kiev në korrik tregoi besimin tek Zelensky në 81 përqind. Sondazhi më i fundit i publikuar nga qendra, më 8 shkurt, tregoi se besimi te Zelensky kishte rënë në 69 për qind.

Strategët ishin të vetëdijshëm për vështirësinë e detyrës së tyre.

“Në çastin e tanishëm, ne duhet të hyjmë në peizazhin mediatik të Ukrainës praktikisht nga zeroja”, thuhej në një raport në prill.

“Segmenti prorus është spastruar plotësisht nga masmedia dhe rrjetet sociale”.

Strategët këshilluan zhvillimin e “një rrjeti kanalesh në Telegram në kombinim me Tëitter-in dhe Facebook/Instagram” si mënyra më efektive për të depërtuar në hapësirën mediatike të Ukrainës, duke vënë në dukje se ndjekja e Telegramit në Ukrainë ishte rritur 600 për qind gjatë vitit të kaluar.

Pas pushtimit, qeveria e Zelenskyt kishte krijuar një burim të vetëm lajmesh televizive, por ukrainasit ishin larguar nga programi, duke thënë se betejat ushtarake të Ukrainës nuk ishin raportuar apo diskutuar mjaftueshëm.

“Telegrami u bë burimi më i rëndësishëm i lajmeve, madje më i rëndësishëm se mediat kryesore”, tha zyrtari i lartë evropian i sigurisë.

“Është e pamundur ta bllokosh atë.”

Strategët e Moskës theksuan nevojën për të shmangur propagandën flagrante proruse për të krijuar besim me ndjekësit.

“Është e qartë se ne nuk mund të ecim përpara me burimet tona të vjetra,” shkroi një nga strategët më 5 prill pas një takimi të Kremlinit.

Në javën e parë të majit, një postim që strategët e Kremlinit kishin vendosur në Facebook, duke thënë se “Valery Zaluzhny mund të bëhet presidenti i ardhshëm i Ukrainës”, kishte mbledhur 4.3 milionë shikime, tregon një nga prezantimet e panelit.

Kremlini më pas lëshoi ​​urdhra për të krijuar postime të ngjashme ose “realitet shtesë”, një term i përdorur nga zyrtarët rusë për lajmet e rreme, duke përfshirë raportet se krerët perëndimorë po kërkonin një zëvendësim për Zelenskyn dhe se Zaluzhny synonte të ndalonte kundërsulmin.

META, kompania mëmë e Facebook-ut, tha në një deklaratë duke iu referuar postimeve ruse për Zaluzhnyn dhe mungesës së supozuar të ndihmës shtetërore për ushtarin e rënë se ajo kishte “mbikëqyrur dhe bllokuar llogari dhe faqe interneti të drejtuara nga kjo fushatë” që nga viti 2022, “përfshirë këto dy faqe që u zbuluan dhe çaktivizoheshin shpejt nga ekipi ynë i sigurisë.”

Të pashqetësuar, strategët mbollën një bollëk shkrimesh në Ukrainë nëpërmjet mediave sociale, me një në maj me titull “Zelensky po mban fronin. Në Ukrainë demokracia po likuidohet”, tregojnë dokumentet.

Një tjetër në qershor u përpoq të luante atë që pretendonte se ishte zhdukja e zgjatur e Zaluzhny nga opinioni publik, me blogerët e udhëzuar të postonin komente duke deklaruar: “Kjo është arsyeja pse Zaluzhny u zhduk: Sepse ai mund të kishte dhe duhej të kishte zënë vendin e Zelenskyt”.

Burra me uniforma ushtarake që mbajnë shkronjën Z, një shenjë e përdorur nga trupat ruse në Ukrainë, ecin nëpër Sheshin e Kuq të Moskës në janar

Dezinformata për riciklimin

Strategët gjithashtu u përpoqën të shfrytëzonin fushatën e Kiriyenkos në Evropën Perëndimore duke ricikluar dezinformatat e saj për përdorim në Ukrainë.

Taktikat në fushatën evropiane përfshinin klonimin dhe pushtimin e faqeve të internetit të mediave dhe qeverisë, si ato për Le Monde dhe Ministrinë e Jashtme të Francës dhe më pas postimin e përmbajtjeve të rreme në to duke denigruar qeverinë ukrainase, në një operacion të quajtur “Doppelgänger” nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ato përfshinin gjithashtu krijimin e llogarive të rreme në X, (Twitter), për figura të shquara, përfshirë Ministren e Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock. Strategët u përpoqën të vendosnin histori ose postime nga ato faqe interneti ose llogari në mediat sociale të Ukrainës si raportime ose komente të vërteta evropiane.

Pasi llogaria e rreme e Baerbock deklaroi në shtator se “lufta në Ukrainë do përfundojë pas 3 muajsh”, autoritetet gjermane nisën një hetim dhe gjetën më shumë se 50,000 llogari të rreme të përdoruesve që bashëkrendonin propagandën proruse, përfshirë ato që promovonin postimet në X. Zyrtarët besojnë se llogaritë e rreme ishin një zgjatje e fushatës “Doppelgänger”, raportoi Der Spiegel.

Operacioni “Doppelgänger” u ekspozua fillimisht nga META në shtator 2022 dhe më pas nga autoritetet franceze verën e kaluar dhe u lidh me “Reliable Recent News”, një faqe lajmesh të rreme që gjurmohet në dy kompani ruse, Agjencia e Dizajnit Social dhe Structura National Technologies.

Dokumentet e Kremlinit tregojnë se krerët e Agjencisë së Dizajnit Social dhe Structura – Ilya Gambashidze dhe Nikolai Tupikin – punuan drejtpërdrejt me Kiriyenkon dhe një tjetër zyrtare të Kremlinit, Sofiya Zakharovan, e cila bashkërendoi përpjekjet në Evropë dhe Ukrainë.

“Ajo është truri,” tha një zyrtar evropian i sigurisë.

BE-ja vendosi sanksione në korrik ndaj Gambashidzes, kreun e Structura National Technologies and Social Design Agency për atë që tha se ishte roli i tij në krijimin e faqeve të rreme dhe llogarive të mediave sociale “duke pushtuar identitetin e mediave kombëtare dhe faqeve të internetit qeveritare” si pjesë e “një fushate hibride nga Rusia” kundër BE-së dhe shteteve anëtare”.

Gambashidze dhe Tupikin u emëruan nga Departamenti i Shtetit i SHBA në nëntor për rolin e tyre në përpjekjet e Kremlinit për të përhapur dezinformata në Amerikën Latine

Zakharova, Gambashidze dhe Tupikin nuk iu përgjigjën kërkesave të hollësishme për koment mbi përmbajtjen e dokumenteve.

Gambashidze, Tupikin dhe kolegët e tyre propozuan narrativa që ata shpresonin se do shkatërronin imazhin e Zelenskyt në Perëndim si “heroi i një vendi të vogël që lufton një të keqe globale”, tregon një nga dokumentet e dërguara në prill.

Ata sugjeruan që Zelensky të portretizohej si një aktor i aftë për të ndjekur vetëm një skenar të shkruar për të nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, dhe mbështetësit e tij perëndimorë si të lodhur prej tij.

Ata propozuan shpërndarjen e dokumenteve të rreme të qeverisë ukrainase si dëshmi të skemave të korruptuara të prokurimeve ushtarake, dhe duke sugjeruar se Zelensky dhe familja e tij kishin llogari bankare perëndimore, tregon dokumenti.

Planet çuan në qindra shkrime dhe mijëra postime në mediat sociale të përkthyera në frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht që synonin Zelenskyn, tregon dokumenti.

Një shkrim, që synonte ndjekësit francezë, titullohej: “Dirigjenti është mërzitur nga koncertet e Zelenskyt: Veprimet e SHBA-së në Ukrainë e bëjnë të besohet se Uashingtoni së shpejti synon të heqë qafe Zelenskyn, pa e diskutuar këtë me Parisin”.

Në bazë të këtij shkrimi, një nga strategët urdhëroi një punonjës të grupeve të karremeve të përgatiste postime në mediat sociale në frëngjisht duke thënë: “Uashingtoni do zëvendësojë Zelenskyn me një president më të aftë. Dhe Franca do duhet të vijojë në heshtje armatosjen dhe financimin e Ukrainës.”

Një shkrim tjetër përshkruan se si Zelensky kishte nxitur që forcat ukrainase të mbronin Bakhmutin kundër dëshirave të Zaluzhnyt, duke çuar, sipas tij, në vdekjen e 250,000 trupave ukrainase, një numër vdekjesh jashtëzakonisht i ekzagjeruar në atë që ishte megjithatë një betejë brutale për qytetin.

Punonjësve të grupeve të karremeve iu kërkua të shkruanin komente të tilla si “Pse gjeneralët ukrainas e urrejnë Zelenskyn? dhe “Të qëllosh presidentin e rraskapitur? Në Ukrainë, një komplot gjeneralësh po përgatitet.”

Një nga qëllimet e strategëve, thanë zyrtarët evropianë të sigurisë, ishte të siguronin që temat e vendosura në mediat sociale evropiane të filtroheshin përsëri në Ukrainë, përmes ripostimeve dhe amplifikimit, ose duke u kapur nga politikanët ukrainas të etur për të rritur profilet e tyre me postime provokuese.

“Ata kërkojnë pika të dobëta. Ata përdorin atë që krijojnë vetë dhe çdo gjë që është nën këmbët e tyre,” tha një zyrtar i dytë evropian i sigurisë.

“Gjithçka synon të demoralizojë njerëzit.”

Strategët gjithashtu kishin lista çmimesh për mbjelljen e komenteve pro-ruse në mediat e njohura perëndimore dhe për pagesën e “ndikuesve” të mediave sociale në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë “të gatshëm për të punuar me klientët rusë”. Dokumentet thonë se rusët ishin të gatshëm të paguanin deri në 39,000 dollarë për vendosjen e komenteve proruse në mediat kryesore në Perëndim.

“Praktikisht kudo do jenë editorialistë, drejtues të opinionit publik, ish-diplomatë, zyrtarë, profesorë e kështu me radhë”, thuhet në një shënim bashkangjitur listës së çmimeve. Nga dokumentet është e paqartë nëse Kremlini ishte në gjendje të merrte a publikonte materiale në botimet perëndimore apo nëse dikush paguhej.

Ndërsa dimri zbriste në Kiev, filluan të shfaqeshin një sërë videosh të rreme që portretizonin Zaluzhnyn duke e quajtur Zelenskyn një armik të popullit dhe duke bërë thirrje për një grusht shteti.

Videot u denoncuan shpejt si false dhe nuk patën ndonjë ndikim të vërtetë në Ukrainë. Por zyrtari i lartë evropian i sigurisë tha se ai shqetësohej se Kremlini vetëm po testonte terrenin për falsifikimet e ardhshme.

“Është shumë e shtrenjtë, por mund të funksionojë,” tha ai.

“Në kohën e duhur, mund të përdoret.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani