Vendosni fjalën kyçe....

Ministrat e jashtëm të BE-së mblidhen në Bruksel, merr pjesë Yulia Navalnaya


Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar për situatën në Gazë, krijimin e një misioni të Bashkimit Evropian në Detin e Kuq, si dhe për masa të reja kundër Rusisë. Në takimin në Bruksel ishte e pranishme edhe Yulia Navalnaya, e veja e udhëheqësit opozitar rus Alexey Navalny.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën të hënën në Bruksel për të diskutuar situatën në Gazë dhe sanksionet e mëtejshme që vendet anëtare të BE-së do t’i vendosin Rusisë pas vdekjes në burg të udhëheqësit opozitar rus Alexey Navalny.

“Po. Vendet anëtare do të propozojnë sanksione ndaj përgjegjësve. Përgjegjësinë e madhe e ka vetë Putini. Por, mund të zbresim në tërë strukturën institucionale të sistemit të burgjeve të Rusisë. Por, mos harroni se kush është përgjegjësi i vërtetë për vdekjen e Navalny-it”, tha Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për politikën e jashtme.

Në takimin e ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian u ftua të marrë pjesë e veja e Alexei Navalny-it, Yulia Navalnaya, dhe u propozua që paketës së sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë t’i jepet emri i opozitarit rus.

“Me brutalitetin që po vepron presidenti rus ndaj lirisë, ndaj lirisë së Ukrainës dhe ndaj lirisë së vetë vendit të tij… E kemi parë jo vetëm në mënyrën më brutale gjatë dy viteve të fundit, kur janë shtypur demonstratat, janë arrestuar brutalisht gra të moshuara dhe fëmijët janë zhdukur papritur nga shkollat sepse kanë përmendur fjalën ‘luftë’. Dhe kjo është ajo çfarë anëtarët kurajozë të opozitës dhe njerëzit e zakonshëm kanë përjetuar prej vitesh, por edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit. Alexei Navalny u desh të paguajë tashmë me jetën e tij për këtë brutalitet ndaj lirisë në Rusi”, tha Annalena Baerbock, ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Ndërsa ministrat evropianë shqyrtojnë situatën në Gazë, përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme ka propozuar sanksione ndaj anëtarëve të dhunshëm të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

“Nuk jemi ende në atë pikë. Nuk ka dakordësi nga të gjitha vendet anëtare, por do të vazhdoj ta kërkoj pasi duhet të ruajmë besueshmërinë tonë, duhet të dënojmë atë që po ndodh në Bregun Perëndimor. Bregu Perëndimor po zien. Nëse nuk i lejojnë njerëzit të shkojnë në xhami gjatë festimeve për Ramazanin, situata mund të përkeqësohet më tej”, tha zoti Borrell.

Një iniciativë e re e rëndësishme e Bashkimit Evropian është vendosja e pranisë me një mision të posaçëm në Detin e Kuq për të mbrojtur mjetet e transportit detar dhe tregtinë ndërkombëtare nga sulmet e rebelëve huthi të Jemenit, grup i shpallur rishtazi organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

“Kemi parë se nga sulmet e grupit huthi ndaj anijeve tregtare, është goditur e gjithë ekonomia globale. Nuk janë vetëm anijet evropiane që rrezikohen vazhdimisht nga raketat e huthive në Detin e Kuq, por e gjithë industria ndërkombëtare e transportit… Është e rëndësishme të mbrojmë jo vetëm linjat tona të transportit, por mbi të gjitha ta bëjmë të qartë se si komuniteti ndërkombëtar qëndron së bashku përballë sulmeve terroriste ndaj lëvizjes së lirë në det”, tha zonja Baerbock.

Misioni i përbashkët i Bashkimit Evropian do të drejtohet nga baza në Larisa të Greqisë, ku gjendet shtabi i forcave ajrore greke dhe një qendër komandimi e operacioneve ajrore të NATO-s (CAOC-7).

Forcat amerikane dhe britanike kanë bërë disa sulme ajrore ndaj objektivave të grupit huthi në Jemen. Vetëm një ditë më parë, Komanda Qendore Amerikane njoftoi se krahas rrëzimit të raketave dhe goditjes së mjeteve të tjera të luftëtarëve të grupit huthi, për herë të parë neutralizoi edhe një mjet nënujor të telekomanduar. Mësohet se misioni evropian nuk do të ketë pjesëmarrje në sulmet ndëshkimore ajrore dhe do të veprojë vetëm në det./VOA