Pas emisionit “Vetting”, të transmetuar më 8 shkurt 2024 në News24, për mungesën e barnave për kimioterapinë e fëmijëve në QSUT, ka reaguar kompania “Lekli” shpk, e cila ka marrë paratë që të mos mungojnë ilaçet.
Fakt që nuk pranohet nga kompania në përgjigjen e saj.
“Sqarojmë se, furnizimi i barnave nga ana e shoqërisë “Lekli” Sh.p.k, është bërë gjithmonë sipas kërkesave të QSUT dhe gjithmonë brenda afateve kohore të tregtimit dhe skadencës së tyre”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Por kujtojmë se është denoncimi i familjarëve, i cili hedh poshtë deklaratën e kompanisë, që bari “Crisantaspase” (Asparaginase) ka munguar.
Ka qenë “News24”, që nëpërmjet një dhuruesi privat i ka siguruar Reit 6 vjeçar ilaçin “Asparaginase” pasi mungonte në spital. Por ndryshe nga “Lekli” shpk, QSUT nuk e merr përgjegjësinë për mungesën e barnave të kimioterapisë.
“Operatori ekonomik fitues i procedurës së prokurimit, më të cilin QSU “Nënë Tereza” ka të lidhur Marrëveshjen Kuadër, nuk ka arritur të sigurojë në kohë barin e nevojshëm”, shkruhet në përgjigjen e QSUT-së për gazetarët e “Vetting”.
Pra, nga vet spitali i lihet përgjegjësia “Lekli” shpk.
Së dyti, duke marrë shkas nga reagimi i kompanisë për “Vetting” për shkeljet e ligjit, konfirmojmë se tenderi për “Blerje bari Velaglucerase Alfa 400 UI” me vlerë 59 milionë lekë, i fituar në 2020 nga kompania në fjalë, është marrë nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për QSUT, i publikuar në 2021.
“Titullari i QSUNT të marr masa të menjëhershme që të analizoje shkaqet dhe nxjerrë përgjegjësitë për grupin e hartimit të DST-ve, të hartuara në kundërshtim me ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, shkruhet në raportin e KLSH-së, në lidhje me këtë tender.
Në lidhje me kontrabandën e barnave, “Vetting” i referohet raportit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucion që raporton në Kuvendin e Shqipërisë.
Komisioneri Robert Gajda ka deklaruar se në 2021 familjarët e pacientëve merrnin barnat e kimioterapisë në farmacitë pranë QSUT.
Emisioni “Vetting” vijon të ngrejë pyetjen:
Si i ka fituar tenderat e 2018 dhe 2019 për ilaçin “Actinomycin D” kompania, kur Agjencia e Barnave nuk ka dhënë asnjë informacion për këto autorizime, por ka dhënë për vite të tjera?
Edhe sot, në përgjigjen e saj për “Vetting”, “Lekli” shpk nuk ka vendosur në përgjigje autorizimet për ilaçin “Actinomycin D”.