Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria, shpenzime rekord në Europë për ndërtimin, të fundit për makineri e pajisje


Shqiptarët mund të jenë ndër më të varfrit në Europë, por nuk kursehen aspak kur bëhet fjalë për të ndërtuar, sidomos banesa, duke ia kaluar çdo shteti tjetër të Europës.

Të dhënat e Eurostat që llogarisin shpenzimet nominale si përqindje ndaj prodhimit të brendshëm bruto (PBB), apo asaj që prodhon ekonomia në një vit, në 2022-n, për Shqipërinë ishin sa 18.8% e PBB-së, nga 11.3% që është mesatarja e Bashkimit Europian.

Në këto nivele, Shqipëria renditet e para në Europë. Nga vendet e rajonit, pas nesh renditet Maqedonia e Veriut (13.2%), Mali i Zi (12.7%), Bosnjë Hercegovina 11.7% dhe e fundit është Serbia me 10.2%.

Treguesi llogaritet si pjesë e Formimit bruto të kapitalit fiks, që mat investimet e rezidentëve në asete fikse. Ai përfshin ndërtimet inxhinierike dhe rezidenciale si dhe blerjet e impianteve, makinerive dhe pajisjeve, programe kompjuterike. Të dhënat e tjera të INSTAT bëjnë të ditur se në ndërtim, dominojnë banesat rezidenciale, me 60% të totalit të shpenzimeve për ndërtim.

Në të kundërt, investimet për makineri e pajisje, që janë të domosdoshme për ecjen përpara të ndërmarrjeve pasi ndikojnë pozitivisht në rritjen e produktivitetit janë më të ulëtat në Europë. Po Sipas Eurostat. Në vitin 2022, shpenzimet për makineri e pajisje ishin 4.1% e PBB-së në Shqipëri, e dyta më e ulëta në Europë. Në Serbi, ky tregues është 8.9% e PBB-së, në Mal të Zi 7.9%, në Bosnjë Hercegovinë 9.5%, në Maqedoninë e Veriut 7.5%.

Ndërtimi për banesa arrin në 1.8 miliardë euro

Përkundrejt tendencës në tkurrje të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, sektori i ndërtimit rezidencial po vijon aktivitetin, sidomos në kryeqytet. Në vitin 2022, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord në dekadën e fundit.

Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi për banesa ishte rreth 1.8 milionë m2, niveli më i lartë rekord.

Të dhëna të tjera të INSTAT, që janë të disponueshme deri në vitin 2021, tregojnë se formimi bruto i kapitalit fiks për ndërtesa për banim, i cili mat investimet e rezidentëve për banesa, arriti në 209 miliardë lekë (rreth 1.8 miliardë euro), që është niveli historik më i lartë rekord, duke ia kaluar vitit 2006, kur ishte arritur kulmi i ciklit të parë të rritjes së sektorit, që ishte nxitur nga zhvendosje masive të popullsisë pas viteve ‘90.

Më pas, ndërtimet hynë në një cikël rënieje, që zgjati deri në 2016-n. Pas këtij viti filloi sërish cikli i rritjes, këtë herë jo i nxitur nga zhvendosjet e popullsisë, sesa nga orientimi i kapitaleve të lira në këtë sektor, që është ndër më fitimprurësit në ekonomi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor