Vendosni fjalën kyçe....

20 shkurti/ Basha: Hapja e dosjeve, premtim i pambajtur 33-vjeçar i PD-së, instrumentet e diktaturës mbeten të pacënuara


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në fjalën në forumin “Përballja me të kaluarën/ Multiperspektiva në histori”, në kuadër të 20 shkurtit, ka deklaruar se më shumë se një gjeneratë pas rrëzimit të bustit, instrumentet e diktaturës mbeten të pacënuara, referuar procesit të lustracionit.

Ai u shpreh se hapja e dosjeve, një premtim i pambajtur 33-vjeçar i PD, ndërsa shtoi se dosjet famëkeqe vijojnë të luajnë rol në kontrollin politik të shoqërisë.

“Mposhtja e frikës është po aq e fortë sa frika. Një nga instrumentet më të rëndësishme për ata që duan të ushtrojnë kontroll, gjë që çon në diktaturë.

Është e lehtë për PD në opozitë të drejtojë gishtin nga kundërshtari politik si formacion që mbart barrën e Partisë së Punës dhe rekord më të rënda të shkallmimit të garancive kushtetuese.

Detyra jonë më 20 shkurt është të bëjmë një vështrim introspektiv. PD në atë kohë më shumë se parti ishte një front i njerëzve kundër diktaturës.

2024, 33 vite më shumë se një gjeneratë pas rrëzimit të bustit, instrumentet e diktaturës mbeten rë pacënuara, e kam fjalën për procesin e lustracionit.

Dosjet famëkeqe vijojnë të luajnë rol në kontrollin politik të shoqërisë.

PD ka dërguar prej kohësh në Kuvend një propozim që synon lustracioni pra hapjen e plotë të dosjeve.

Hapja e dosjeve, një premtim i pambajtur 33 vjeçar i PD”, tha ai.