Julia Navalnaya, e veja e Alexei Navalny, kundërshtari i presidentit rus Putin, u zotua të hënën të vijojë kryqëzatën e të shoqit kundër regjimit rus, duke u përpjekur të ndërtojë “një Rusi të lirë, paqësore, të lumtur, një Rusi të bukur të së ardhmes, për të cilën burri im ëndërronte kaq shumë.”
47-vjeçarja Navalnaya, e bëri njoftimin e saj në një deklaratë video në YouTube, në të cilën ajo akuzoi autoritetet ruse për helmimin fatal të Navalnyt në burgun e Arktikut, ku ai vdiq papritur të premten në moshën 47-vjeçare.
“Putini nuk vrau vetëm personin Alexei Navalny”, tha ajo, e veshur me të zeza me zërin që i dridhej herë pas here gjatë fjalimit në video.
“Ai donte, së bashku me të, të vriste shpresën tonë, lirinë, të ardhmen tonë.”
Navalnaya akuzoi gjithashtu autoritetet ruse se refuzuan t’ia dorëzonin trupin e Navalnyt nënës së tij 69-vjeçare, në mënyrë që ata të mbulonin shkakun e vdekjes.
“Ata gënjejnë në mënyrë patetike dhe presin që gjurmët e një Novichok-u tjetër të Putinit të zhduken atje”, tha Navalnaya, duke iu referuar agjentit nervor që hetuesit ndërkombëtarë thanë se agjentët e sigurisë ruse përdorën në një përpjekje të gushtit 2020 për të vrarë burrin e saj.
“Burri im nuk mund të thyhej dhe pikërisht për këtë Putin e vrau në mënyrën më burracake”, vijoi ajo.
“Ai nuk pati guximin ta shikonte në sy e as t’i thoshte emrin. Dhe tani janë edhe frikacakë, duke e fshehur trupin e tij, nuk ia tregojnë nënës, nuk ia japin asaj.”
Tre ditë pas vdekjes së papritur të Navalny të premten, vendndodhja e trupit të tij ishte ende e paqartë dhe nënës së tij, Lyudmila Navalnaya, nuk i është dhënë ende trupi nga zyrtarët e morgut në qytetin arktik Salekhard.
Navalnaya ishte në Bruksel të hënën për t’iu drejtuar ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët e ftuan atë në një shfaqje solidariteti, dhe si vazhdim i paraqitjes së saj emocionale në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të premten, pak pasi u publikua lajmi për vdekjen e bashkëshortit të saj.
Në takimin në Bruksel, ajo u ul pranë shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e rrethuar nga diplomatë dhe zyrtarë.
“Vladimir Putin dhe regjimi i tij do mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Alexeit”, postoi Borrell në X.
“Siç tha edhe Yulia, Putini nuk është Rusi. Rusia nuk është Putin.”