Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti takoi të premten në Mynih të Gjermanisë kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan. Ishte takimi i parë bilateral. Takimi i parë ndërmjet një kryeministri kosovar dhe një kryeministri armen. Dy ditë më pas, armeni pati një takim edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Armenia, vendi që e përjetoi një disfatë nga Azerbajxhani vitin e kaluar në luftimet për rajonin e Nagorno-Karabakhut, nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, ashtu sikurse “armiku” i saj.
Kosova dëshiron ta marrë njohjen prej të dy vendeve. Eksperti i sigurisë, njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Ilir Kulla i tha Gazetës Express se megjithëse këto tendenca janë të mirëpritura, duhet pasur parasysh “disa rrethana në kontekstin gjeopolitik”.
Azerbajxhani e ktheu kontrollin mbi rajonin e Nagorno-Karabakhut vitin e kaluar pas disa luftimeve. “Pak a shumë si Kosova veriun e saj”, thotë Kulla. Kryeqendra e këtij rajoni në Kaukazin e Jugut ra nën kontrollin e azerëve pasi forcat e sigurisë së këtij shteti mposhtën luftëtarët armenë, gjë që rezultoi me ikjen e 120,000 armenëve në Armeni. Enklava me etni armene njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.
“Takimet bilaterale me cilindo shtet që mund të ketë tendenca të njohjes së shtetit të Kosoves janë të mirëpritura, qoftë edhe ky në rastin e Armenisë. Sigurisht kur flitet për Armeninë duhet te kemi parasysh disa rrethana në kontekstin gjeopolitik. Në atë rajon Armenia është aleat i qartë dhe historik i Rusisë dhe i Iranit. Madje Nagorno-Kharabakh ka qenë dhe pika e lidhjes tokësore mes dy fuqive aziatike. Zhvillimet dramatike të 33 viteve më parë kur Armenia aneksoi me forcën e armëve sovjetike Kharabakhun duke kryer një masakër mbi azerët u zhbënë në 2020 dhe 2023 dhe Azerbajxhani rimori territorin shtetëror që i takon. Pak a shumë si Kosova veriun e saj. Natyrisht që mbështetësit e Kishës Armene e kanë sulmuar Azerbajaxhanin diolomatikisht me në krye Francën dhe Vatikanin në Europë, por kjo nuk i ndryshon gjërat”, tha Kulla.
A mund ta njohë Azerbajxhani pavarësinë e Kosovës pasi e kthey Nagorno-Karabakhun nën kontroll? Kulla thotë se “gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim”. Ai tha se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka kërkuar presidentit azer, Ilham Aliyev zyrtarisht njohjen e Kosovës, ashtu si edhe paraardhësi i tij, Ilir Meta më parë.
“Unë mund t’ju dëshmoj se Presidenti i Shqiperisë, Bajram Begaj ia ka kërkuar zyrtarisht Presidnetit Alyiev njohjen e Kosovës. Gjithashtu edhe Presidenti Meta në kohën e tij”, tha Kulla.
Ai këtu përmend edhe influencën e Turqisë, e cila më 2020 i ndihmoi Azerbajxhanit t’i rikthejë territoret e humbura në Karabakh në luftën e zhvilluar me Armeninë më 1990.
“Gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë në këtë drejtim edhe me influencën e Turqise, por kemi ende rrugë. Ajo që duhet thënë është se Azerbajxhani është një partner shumë i fortë tregetar në rajonin tonë dhe i Perëndimit, është ashtu një aktor shumë i rëndësishëm strategjik për shkak të gazit dhe energjisë dhe hapat diplomatikë ne atë rajon me palët duhet të jenë shumë të kujdesshëm”, thotë Kulla.
Çfarë tha ZKM për takimin e kryeministrit të Kosovës me kryeministrin e Armenisë?
Duke njoftuar për takimin e parë bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan, Zyra e Kryeministrit tregoi se Kurti fillimisht “shprehu mirënjohjen ndaj qëndrtimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës”.
“Kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave, shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime. Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë”, u tha në njoftimin e ZKM-së.
Sipas ZKM-së, në këtë takim, “interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit”.
Si u raportua ky takim në faqen e kryeministrit të Armenisë?
Në njoftimin për media në faqen e kryeministrit të Armenisë, Nikol Pashinyan u tha se “palët shkëmbyen ide mbi situatën aktuale dhe proceset në vazhdim në rajonin e Kaukazit Jugor dhe Ballkanin, sigurinë dhe stabilitetin”.
Në atë njoftim thuhet edhe se Kurti ka shprehur “mbështetjen e tij për popullin armen në kontekstin e zhvillimeve të viteve të fundit, duke theksuar se të dy kombet historikisht kanë kaluar një periudhë të vështirë”.
Po ashtu u tha se në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërsektorial, si dhe perspektivat e bashkëpunimit në platformat ndërkombëtare.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta Express