Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja bllokon rezolutën për armëpushim të menjëhershëm  në luftën Izrael-Hamas, kërkon lirimin e pengjeve


Shtetet e Bashkuara të martën vendosën përsëri veton ndaj një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për luftën Izrael-Hamas, duke bllokuar një kërkesë për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.

Në vend të kësaj përfaqësuesja e SHBA-së e shtyu organin 15 anëtarësh të bëjë thirrje për një armëpushim të përkohshëm të lidhur me lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Trembëdhjetë anëtarë të këshillit votuan në favor të tekstit të hartuar nga Algjeria, ndërsa Britania abstenoi. Kjo ishte vetoja e tretë e SHBA-së ndaj një projektrezolute që nga fillimi i luftimeve më 7 tetor. Uashingtoni ka përdorur gjithashtu veton e tij për të bllokuar një amendament të projektrezolutës në dhjetor,shkruan Reuters.

“Një votë në favor të kësaj projektrezolute është mbështetje për të drejtën e palestinezëve për jetën. Në të kundërt, votimi kundër saj nënkupton një miratim të dhunës brutale dhe dënimit kolektiv të shkaktuar ndaj tyre,” i tha këshillit, ambasadori i Algjerisë në OKB, Amar Bendjama përpara votimit.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB Linda Thomas-Greenfield sinjalizoi të shtunën se SHBA-ja do vënë veton ndaj projektrezolutës për shqetësimet se mund të rrezikojë bisedimet midis SHBA-së, Egjiptit, Izraelit dhe Katarit që synojnë të ndërmjetësojnë një pushim të luftës dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.

“Kërkimi i një armëpushimi të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar pa një marrëveshje që kërkon që Hamasi të lirojë pengjet nuk do sjellë një paqe të qëndrueshme. Përkundrazi, mund të zgjasë luftimet midis Hamasit dhe Izraelit,” i tha Thomas-Greenfield këshillit përpara votimit.

Rezoluta e hartuar nga Algjeria nuk e lidhi një armëpushim me lirimin e pengjeve. Ajo veçmas kërkoi një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve.