Vendosni fjalën kyçe....

U kap me armë zjarri dhe municion, pranga 18-vjeçarit në Sarandë


Një 18-vjeçar është arrestuar në Sarandë, pasi është kapur duke lëvizur me një pushkë me vete. 18-vjeçari dyshohet se do ta shiste.

“Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Strike 7”.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Sarandë.

U kap në flagrancë me armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do t’i shiste në qytetin e Sarandës, vihet në pranga 18-vjeçari.     

Vihet në pranga dhe një 20-vjeçar, si dhe procedohet në gjendje të lirë për shkak të moshës një 17-vjeçar, pasi dyshohet se kishin dijeni për këtë veprimtarinë kriminale.

Sekuestrohen arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 7”, për goditjen e një rasti në këtë fushë.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi L. V., 18 vjeç, banues në Sarandë.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, i cili në momentin e ndalimit nga Policia udhëtonte me një motomjet, shërbimet e Policisë i gjetën 1 armë zjarri pushkë, krehër dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se ky shtetas do t’i shiste në qytetin e Sarandës.  

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi O. Xh., 20 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se kishin dijeni për veprimtarinë kriminale të shtetasit L. V.   

Arma e zjarrit pushkë, municioni luftarak dhe motomjeti që drejtonte 18-vjeçari, në momentin e kapjes në flagrancë nga Policia, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.