Qeveri ka vendosur që të ndryshoje buxhetin për vitin 2024, me qëllim mbështetjen e sektorit fason. Nëpërmjet një akti normativ, qeveria ka vendosur të mbështesë me garanci sovrane prej 4 miliardë lekësh biznesin fason, pas premtimit të kryeministrit Edi Rama.
“Nisur nga ndryshimet e fundit të ministrive, nevojës për të reflektuar në buxhet riorganizimin e tyre sipas fushave të reja të përgjegjësisë, si edhe pasi janë bërë vlerësimet përmbyllëse të vitit 2023, Qeveria ka ndërmarrë sot një akt normativ për ndryshime në buxhetin e këtij viti.
Siç është thënë edhe më herët, vlerësohet se ekonomia performoi mirë gjatë vitit të kaluar dhe në mbyllje të vitit buxhetor 2023 rezulton se treguesit kryesorë makro-ekonomikë patën përmirësime të ndjeshme, duke vijuar një trend pozitiv, që presim të jetë i tillë edhe gjatë vitit 2024.
Më konkretisht, borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023, nivel më i ulët se periudha para pandemisë dhe gjithashtu më i ulëti që nga viti 2010.
Balanca primare në fund të vitit 2023 u rikthye në pozicion pozitiv dhe deficiti buxhetor shënoi nivelin prej 1.4% të PBB-së.
Niveli i të ardhurave arriti në 643 miliardë lekë, ose mbi 6 miliardë euro, me një rritje prej 12.3% krahasuar me vitin 2022 dhe kjo performancë e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024, sipas të dhënave të deritanishme.
Gjatë vitit të kaluar, kontributet e mbledhura në skemën e sigurimeve shoqërore arritën në 5.7% të PBB-së, duke ulur ndjeshëm deficitin e skemës, në afro 0.8% të PBB-së, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Nisur nga këto zhvillime, rishikohen në rritje të ardhurat për vitin 2024, të cilat tashmë projektohen në rreth 687 miliardë lekë, ose 28.2% e PBB-së.
Sa i përket pjesës së shpenzimeve, krahas buxhetimit të ristrukturimit të ministrive, përmes këtij akti normativ po mbështesim edhe një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë.
Gjithashtu, ndryshimet në këtë akt parashikojnë riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar, financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e disa godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së Qeverisë për këtë sektor. Në nivelin makro, vijon konsolidimi fiskal, duke projektuar një trend rënës të borxhit publik, si edhe një deficit 4 miliardë lekë më të ulët sesa projeksioni fillestar i buxhetit.”– tha Mete.