Vendosni fjalën kyçe....

Denion Meidani emërohet ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut


Djali i ish-presidentit Rexhep Meidani, Denion Meidani është emëruar ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Meidanit dhe lirimin nga detyra të ambasadorit Fatos Reka.

Meidani prezantoi pak ditë më parë platformën e tij para anëtarëve të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë dhe mori mbështetjen.

“Maqedonia e Veriut është më shumë se një fqinj i mirë; është partner, aleat dhe mbështetës në rrugën tonë të përbashkët drejt proceseve rajonale dhe eurointegruese”, tha Meidani para anëtarëve të Komisionit të Jashtëm, të kryesuar nga Mimi Kodheli.

Gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar përmes platformës online “Zoom”, ai nënvizoi se një nga prioritetet e tij kryesore është të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të avancojë marrëdhëniet mes dy kombeve.

“Marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive jo vetëm që institucionalizuan më tej marrëdhëniet tona, por gjithashtu kanë dhe do të vazhdojnë të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së qytetarëve tanë. Bashkëpunimin duhet ta konsiderojmë si një histori suksesi. 

Me vizion dhe kurajo, ne bashkërisht ndërmarrim reforma të rëndësishme. Bashkëpunimi rajonal do të jetë prioriteti im kryesor. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona shërbejnë si shembull i bashkëpunimit në rajon dhe unë zotoj se do të përpiqem për avancimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”, tha ai.

Denion Meidani ka mbajtur disa poste publike përgjatë viteve të fundit si ai Drejtorit të Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe këshilltar i Ministrit të Jashtëm.