Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët në Greqi protestë para Parlamentit, kundërshtojnë çmimin e naftës


Fermerët grekë kanë protestuar duke i rënë borive të traktorëve të tyre pranë ndërtesës së Parlamentit grek të mërkurën, pasi e kaluan natën në qendër të Athinës për ta kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit dhe kostos së prodhimit për të dytën ditë radhazi.

Së paku 8.000 fermerë, bletarë dhe mbarështues të blegtorisë iu bashkuan protestës në sheshin “Syntagma” të martën, duke i bërë jehonë protestave të ngjashme nëpër Evropë.

Shumë prej tyre e kaluan natën në shesh, para se të fillonin të lëviznin të mërkurën.

“Ne e morëm këtë vendim dhe tani po presim rezultatin”, tha njëri prej fermerëve nga rajoni jugor i Greqisë, Mesinia.

Fermerët thonë se janë prekur edhe nga ndryshimi klimatik, pasi vërshimet e paparashikueshme, të nxehtit ekstrem dhe zjarret janë duke e bërë punën e tyre edhe më të rrezikshme.

Ata i kanë bllokuar shkurtimisht rrugët dhe pikëkalimet për disa javë, derisa sindikatat e tyre kanë biseduar me qeverinë konservatore të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për ndihmë financiare.

Qeveria u ka ofruar atyre deri tani zbritje në faturën e rrymës dhe zgjatjen e zbritjes tatimore për naftën në bujqësi deri në fund të vitit 2024.

Qeveria greke ka thënë se është e gatshme të bisedojë për një skemë të përhershme për zbritje tatimore, por nuk ka shanse për koncesione shtesë këtë vit.

Në Indi, policia përdori gaz lotsjellës të mërkurën për t’i shpërndarë mijëra bujq protestues, të cilët kërkuan ta rifillonin një marsh në Nju Delhi, pasi e hodhën poshtë një ofertë të Qeverisë për çmimet e produkteve të tyre.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL