Industria e tekstilit dhe këpucëve që ishte kalorësi i eksporteve në dy dekadat e fundit po shuhet. Kriza e shumëfishtë që ka goditur sektorin dy vitet e fundit kulmoi muajt e fundit ku fabrikat nuk mund të përballonin njëherazi nën-çmimin e euros dhe rënies së kërkesës nga jashtë.
Të dhënat mbi tregtinë e jashtme treguan se në janar 2024 eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie me 18.5 % në vlerë. Rënia ishte shumë më e mprehtë për këpucët, eksporti i të cilave ra me 30 për qind në krahasim me janarin 2023, teksa eksportet e tekstilit shënuan rënie me 7,8 % në vlerë.
Eksportet e industrisë së tekstilit dhe këpucëve ishin 88 milionë euro në muajin e parë të këtij viti nga 108 milionë euro në janar 2023. Veshjet dhe këpucët janë grupi më i madh i eksporteve, duke zënë 31 për qind të totalit edhe në janar 2024.
Prodhuesit nuk janë optimistë për situatën. Eva Laro që drejton fabrikën e prodhimit të këpucëve “Prodyn” tha se, realisht sektori është në krizë dhe ka një rënie të konsiderueshme të porosive nga jashtë. Ajo tha se nuk pritet përmirësim i porosive para shtatorit 2024.
Skënder Pashaj që zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “Fital” është shprehur më parë se, krizat e mëparshme kanë treguar se, kur konsumatorët preken nga inflacioni, tkurrja e konsumit cenon se tepërmi këpucën. Frenimi i porosive ka nisur ne muajt e fundit të vitit 2022 dhe ka vazhduar përgjatë gjithë 2023 dhe janarit 2024, duke i bërë të vështira projeksionet e biznesit për rikuperim, shprehet ai.
Zori Edvin Prençe që kryeson shoqatën Proeksport dhe zotëron një linjë të prodhimit të këpucëve thotë se deri në fund të pranverës 2024 situata do jetë e ngjashme dhe parashikohen shumë shkurtime të vendeve të punës dhe humbje te kontratave aktuale dhe nuk shihen premisa te mire për kontrata/klient te rinj.
Këtë herë kriza në sektorin fason ka shumë burime, ku përveç rënies së kërkesës nga jashtë, nënçmimi i euros në kursin e këmbimit dhe rritja e pagës minimalë i kanë bërë fabrikat tona jo shumë konkurruese. Shumë fabrika humbën klientët vitin e kaluar, të cilat transferuar prodhimin në vende të tjera të Azisë dhe Indi.
Fabrikat e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve presin rënie të shitjeve, punësimit dhe investimeve edhe për vitin 2024 për shkak të dobësive që ka sjellë kursi i këmbimit, rënia e kërkesës nga jashtë dhe kostot e larta të forcës së punës. Fabrikat lajmërojnë shkurtim të vendeve të punës nga 20-30 për qind ketë vit, teksa pritshmëritë për rikuperim janë të turbullta./B.Hoxha