Vendosni fjalën kyçe....

Kili rihap hetimin për vdekjen e Pablo Nerudës në vitin 1973


Një gjykatë apeli në Kili urdhëroi rihapjen e një hetimi për vdekjen e poetit me bindje të majta politike dhe laureatit të Çmimit Nobel, Pablo Neruda në vitin 1973 menjëherë pasi ushtria mori pushtetin me një grusht shteti.

Në një deklaratë, gjykata tha se po merrte parasysh një kërkesë të familjes së Nerudës dhe Partisë Komuniste të Kilit, duke shtuar se hetimi për vdekjen e tij nuk kishte qenë “shterrues” dhe se kishte ende hapa për të ndërmarrë që do ndihmonin “qartësimin e fakteve”.

Vitin e kaluar, një panel ekspertësh ndërkombëtarë dorëzoi në Gjykatën e Apelit të kryeqytetit Santiago një raport të shumëpritur mbi vdekjen e autorit të njohur.

Paneli dorëzoi dokumente që përfshinin raporte laboratorike nga Kanadaja dhe Danimarka, si dhe raporte nga ekspertët shqyrtues. Hollësi specifike të raportit të ekspertëve nuk u bënë publike.

Në deklaratën e saj, gjykata e apelit tha se kishte urdhëruar gjithashtu prova me shkrim dore, analiza të provave të kryera nga ekspertë nga universitetet e McMaster dhe Kopenhagen, si dhe një rishikim të dosjes dhe deklaratave të ekspertëve.

Në vitin 2017, një grup ekspertësh të huaj mjeko-ligjorë sugjeruan se Neruda nuk kishte vdekur vetëm nga kanceri, siç u tha zyrtarisht, dhe nuk përjashtuan përfshirjen e “palëve të treta” në vdekjen e tij në ditët e para të diktaturës 17-vjeçare të Augusto Pinochet.

Kur vdiq më 23 shtator 1973, Neruda ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste së Kilit dhe konsiderohej si poeti kombëtar i Kilit dhe intelektuali më i rëndësishëm.

Atij iu dha Çmimi Nobel i Letërsisë në vitin 1971, dy vjet përpara se presidenti socialist Salvador Allende, me të cilin Neruda ishte i afërt, të rrëzohej nga ushtria prej Pinochet-it.

Manuel Araya, shoferi i poetit, ka pohuar se Neruda mori një injeksion vdekjeprurës nga agjentët e juntës ushtarake të Pinochet-it, të cilët depërtuan në klinikën Santa Maria ku ai po trajtohej. Gjykata e Apelit nuk iu referua akuzës së Araya-s.