Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme (21 shkurt) në Kumanovë ku një 66 vjeçar ka vrarë me armë zjarri motrën dhe nipin e tij.
Sipas njoftimit të policisë të shpërndarë nga mediat vendase, mësohet se shkak për ngjarjen e rëndë të jetë bërë konfliktet pronësore.
Ndërkohë djali tjetër i motrës së autorit, 36 vjeçari Z.R është transportuar në spital ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Më datë 21.02.2024, në orën 12:25, punonjësit e policisë së SPB-së kanë privuar nga liria D.Gj. (66) për shkak se në fshatin Gabresh të Kumanovës për shkak të marrëdhënieve të pazgjidhura pronsore-juridike, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të motrës së tij D.R.(63), dhe djemve të saj Zh.R.(36) dhe T.R.(38). Ndihma mjekësore emergjente ka konfirmuar vdekjen e D.R. dhe T.R., ndërsa Z.R., me lëndime është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës”- thuhet në njoftimin e policisë.