Kandidatja republikane Nikki Haley u zotua të ecë para me fushatën presidenciale të martën, duke thënë se “ne nuk i vajosim mbretërit në këtë vend” dhe se ajo nuk kishte ndërmend të tërhiqej pas garës nominuese të së shtunës në Karolinën e Jugut.
“Nuk ndjej nevojë të puth unazën. Dhe nuk kam frikë nga ndëshkimi i Trump,” tha ajo në një fjalim në Greenville, Karolina e Jugut, ku pritet të humbasë ndaj ish-presidentit Donald Trump në zgjedhjet paraprake të kësaj fundjave në shtetin e saj. .
Trump ka një epërsi dërrmuese në sondazhet kombëtare dhe aleatët e tij kanë rritur presionin ndaj Haley-t që të largohet nga gara pasi ajo humbi katër garat e para nominuese me diferencë të madhe.
Këmbëngulja e saj për të vijuar me fushatën ka zemëruar fushatën e Trump, e cila e ka tallur atë dhe kërcënuar se do t’i ndërpresë donatorët që vazhdojnë t’i japin para.
Gjatë fjalimit të saj të martën, Haley e kritikoi Trump-in se ishte shumë i vjetër, përçarës dhe i zhytur në vetvete për të qenë një udhëheqës efektiv. Ajo gjithashtu kritikoi ashpër historinë e tij të fyerjes së veteranëve ushtarakë.
“Ne nuk shenjtërojmë njeri në këtë vend. Ne kemi zgjedhje,” tha Haley në fjalimin e saj.
“Kjo është arsyeja pse unë kundërshtoj të largohem. Karolina e Jugut do votojë të shtunën. Por të dielën, unë do kandidoj ende për presidente. Nuk do shkoj askund.”