Në Ditën ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nga “Mësonjëtorja e Parë” në Korçë, është shpallur data Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, për të gjitha shkollat 9-vjeçare nga veriu në jug.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu bën me dije se me datën 12 mars do të fillojë konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për klasat e nënta.
“Prej 12 marsit fillon konkursi kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të 9-ta”, tha Manastirliu.
Ndërsa presidenti Bajram Begaj, ka publikuar një video në rrjetet sociale, me fëmijë të cilët janë rritur në emigracion dhe recitojnë vjershën ‘Gjuha Shqype’ të poetit Ndre Mjeda.
“Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype”.’- shkruan Begaj.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ndërkombëtare ceremoniale e shpallur nga UNESCO në vitin 1999.
Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është ndërgjegjësimi për shumëllojshmërinë gjuhësore dhe kulturore si një vlerë universale.
Kjo ditë ka si qëllim promovimin dhe ndërgjegjësimin për diversitetin gjuhësore dhe kulturor si dhe promovimin e shumëgjuhësisë.
Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli, me anë të së cilës shprehet shpirti dhe kultura e tij. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folura e tij, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtarëve të atij populli, asaj shoqërie.