Sot, Ushtria izraelite ka kryer një seri sulmesh ajrore në Rafah, një zonë e cila ndodhet në jug të Rripit të Gazës dhe është në qendër të vëmendjes së zyrtarëve ndërkombëtarë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e civilëve palestinezë.
Shtimi i sulmeve ajrore në Rafah ka shkaktuar frikë për pengim të mëtejshëm të operacioneve humanitare në këtë zonë, e cila ka rreth 1.5 milionë banorë, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, e cila është nën kontrollin e Hamasit, ka bërë të ditur sot se në 24 orët e fundit janë vrarë rreth 100 persona në të gjithë Rripin e Gazës nga forcat izraelite, duke e rritur numrin e të vdekurve për shkak të luftës në 29,410 vetë.
Ushtria izraelite ka njoftuar të enjten se forcat e saj kanë kryer sulme në zonën Zeitoun në qytetin e Gazës, në pjesën veriore të rajonit, si dhe në perëndim të qytetit Khan Younis në jug të Gazës.
Në një artikull që u publikua fillimisht në gazetën braziliane “Folha”, shefi i OKB-së për Çështjet Humanitare, Martin Griffiths u bëri thirrje vendeve të G20-ës, që takohen këtë javë në Rio De Zhaneiro që të shfytëzojnë fuqinë e tyre politike dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre për t’i dhënë fund luftës në Gazë.
“Bota mund t’i shohë mizoritë dhe tragjedinë humanitare me të cilat po përballen banorët në Gazë. Ato po dokumentohen nga gazetarët palestinezë, shumë prej të cilëve janë vrarë ndërsa raportonin”, shtoi ai. “Askush nuk mund të shtiret sikur nuk është në dijeni”.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të mërkurën se Gaza është “shndërruar në një zonë vdekjeje”.
“Një pjesë e madhe e territorit është shkatërruar, më shumë se 29 mijë vetë kanë vdekur, shumë janë shpallur të zhdukur, ndërsa shumë, shumë të tjerë janë plagosur”, u tha ai gazetarëve në Gjenevë.
Izraeli nisi operacionin ushtarak për eleminimin e Hamasit, pas sulmit të këtij grupi në 7 tetor, që sipas zyrtarëve izraelitë la të vrarë 1200 persona dhe rreth 250 të tjerë u morën peng. Hamasi, që Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian e kanë shpallur organizatë terroriste, besohet se ende mban rreth 130 pengje në Gazë, duke përfshirë 30 që besohet të kenë vdekur.