Në Shqipëri, debati rreth zonave të mbrojtura mjedisore ka marrë një rëndësi të veçantë në opinionin publik, si pasojë e ndryshimeve të ligjeve dhe sfidave të ndryshme që kanë lindur për shkak të projekteve të zhvillimit, si Aeroporti i Vlorës, Lumi Vjosa dhe Parku i Butrintit.
Qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për të rishikuar dhe ndryshuar ligjet që rregullojnë këto zona, duke u përballur me një reagim të ndryshëm nga grupet e interesit dhe opinioni publik. Ndryshimet e propozuara kanë shkaktuar debate të forta lidhur me qëllimet e tyre, ndikimin në mjedis dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre zonave.
Një nga pikat më të diskutueshme është Aeroporti i Vlorës, i cili ka nisur ndërtimin në një zonë të mbrojtur mjedisore të lagunës së Nartës. Ndërkohë që qeveria argumenton për përparimin ekonomik dhe turistik që mund të sjellë, kritikët dhe aktivistët e mjedisit kundërshtojnë projektin duke shprehur shqetësimet e tyre për ndikimin e mundshëm negativ në ekosistemin lokal.
Një tjetër çështje e ndjeshme ka qenë mbi Lumin Vjosa, i cili ka qenë në qendër të debateve të ashpra për shkak të planeve për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë. Debati për Lumin Vjosa mori edhe përhapje ndërkombëtare duke sjellë edhe reagimin e personazheve të famshme si aktori hollivudian Leonardo di Caprio. Debati u shua me shpalljen e Lumit Vjosa Park Kombëtar dhe zonë e mbrojtur së bashku me disa degë të tij.
Parku i Butrintit gjithashtu është në fokus të vëmendjes për shkak të formës së menaxhimit të tij që do i jepet një fondacioni (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan). Për kritikë të shumtë të këtij plani rrezikohet që me formën e re të menaxhimit t’i haper rrugë ndërtimit të objekteve të reja turistike në këtë zonë të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Diskutimet lidhur me këtë çështje janë të fokusuara në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të parkut, ndërkohë që sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonën e Butrintit.
Ligji për mMenaxhimin e Parkut të Butrintit është ankimuar nga opozita në Gjykatën Kushtetuese dhe në të beteja vijon. Opozita ka akuzuar autoritetet shqiptare se kanë mbajtur të fshehtë raportin e UNESCO-s mbi menaxhimin e Parkut duke denoncuar se përmban kritika të forta mbi mënyrën si është parashikuar të bëhet dhe se rrezikon zonën arkeologjike dhe peizazhin e mbrojtur deri më tani të parkut.
Ditën e sotme vetë delegacioni i BE-së në Tiranë shprehu rezervat e tij për ndryshimet në ligj dhe tha se miratimi i këtyre ligjeve kërkon konsultim publik transparent dhe gjithëpërfshirës duke kritikuar qeverinë se ka bërë një proces të njëanshëm që bie ndesh me parimet e rregullat e BE-së dhe procesin e anëtarësimit.
“Në këtë kontekst, roli i Bashkimit Evropian për monitorimin e respektimit të ligjeve dhe standardit të mjedisit është i rëndësishëm. Anëtarësimi në BE ka sjellë një sërë rregullimesh dhe standardeve për ruajtjen e mjedisit, duke shtuar presionin për të zbatuar standarde më të larta të mbrojtjes së mjedisit dhe të qëndrueshmërisë në zhvillimin e projekteve të ndryshme.
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.
Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”-thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE.
Pas kësaj deklarate ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili thotë se është në një mendje me BE-në dhe me vizionin e tij qeverisës ka zgjeruar zonat e mbrojtura mjedisore duke reklamuar se qeveria e tij ka shpallur më shumë zona të mbrojtura se në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.
“100 % në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin “Shqipëria 2030” dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura si rezultat i zgjerimit të tyre në këto vite. Ndryshimet e sotme ligjore e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë **Në hartën bashkëngjitur numri i parqeve kombëtare në vendet e rajonit tone”-shkruan Rama.
Por opozita nëpërmjet në një deklaratë për mediat nga ana e deputetes Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se me miratimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.
“Nëse flasim për parlamentin e kapur dhe shkeljen e procedurës, ky është shembulli më i mirë. Kam kohë që përpiqem që betejën ta bëjmë në institucione, por në kushte kur dhe deputetë të PS, vota e tyre nuk ka vlerë…. Me këtë ligj qeveria tregoi se nuk njeh asnjë limit dhe votuan një ligj që janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura”, deklaroi Tabaku.
Investimet strategjike me resorte turistike, ndërtimet e infrastrukturës si aeroporte dhe ndërtimi i HEC-eve janë disa nga rreziqet që kanosin zonat e mbrojtura dhe shpesh here zona të tilla i kanë lënë vendin ndërtimeve të veprave infrastrukturore të sipërpërmendura./Hashtag.al