Shtetet e Bashkuara thanë se bashkëpunimi në rritje mes Teheranit dhe Moskës, në aspektin ushtarak, është “shqetësues”, pas raportimeve se Irani ka dërguar disa dërgesa me raketa balistike në Rusi.
Reuters raportoi më 21 shkurt se Irani ka furnizuar Rusinë me qindra raketa përmes katër dërgesave që nga janari, dhe një zyrtar anonim ushtarak iranian citohet të ketë thënë se “do të ketë edhe më shumë dërgesa në javët në vijim”, shkruan REL.
Përderisa zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë ende publikisht nuk kanë konfirmuar raportimin e Reutersit, ky zhvillim është në përputhje me paralajmërimet e SHBA-së.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë se përderisa nuk mund të komentojë drejtpërdrejt për raportimin, rritja e bashkëpunimit ushtarak mes Iranit dhe Rusisë “është diçka që duhet ta shqetësojë mbarë botën”.
“Për një kohë të gjatë ne kemi paralajmëruar se Rusia po negocionte me Iranin për blerjen e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe këto negociata po përparonin në mënyrë aktive”, tha zëdhënësi i DASH-it.