Vendosni fjalën kyçe....

Vetëprodhuesit e energjisë, janë 1760 impiante fotovoltaike me kapacitet 160 MW


Numri i subjekteve që instalojnë impiante fotovoltaikë për vetëkonsum ka ardhur në rritje nga viti në vit.

Të dhënat zyrtare të OSHEE Group tregojnë se ky numër ka arritur në 1760 (shifër e gjeneruar nga sistemi në 18.01.2024) ndërkohë që kapaciteti total i instaluar llogaritet në rreth 160 MW.

Kategoria e vetëprodhuesve përbëhet kryesisht nga bizneset në treg të lirë, të cilët për të reduktuar faturat e tyre të energjisë janë nxitur në vite për të përballuar një pjesë të konsumit nga prodhimi i impianteve të tyre.

Sipas kuadrit ligjor, çdo subjekt i interesuar që plotëson kushtet e nevojshme, mund të instalojë dhe të lidhë në rrjet një impiant fotovoltaik që nuk duhet të kalojë kapacitetin 500 kWp.

Sasia e energjisë që prodhohet nga ky impiant mund të përdoret nga biznesi dhe tepricat, kur ka mund të hidhen në rrjet dhe të përdoren nga biznesi në një moment të dytë kur nevoja për konsum është me e lartë se prodhimi.

Aktualisht vetëprodhuesit po funksionojnë përmes një bilanci vjetor i cili u vendos nga viti i kaluar me ndryshimin e udhëzimit përkatës.

Ky bilanc, që më herët ishte mujor, është më i leverdishëm duke u dhënë mundësi bizneseve që tepricat t’i përdorin kurdo brenda harkut 12mujor dhe jo në muajin pasardhës siç funksiononte dikur.

Ndryshimet ligjore parashikojnë që ky grup të trajtohet nëpërmjet skemës së faturimit neto por që kjo të marrë fuqi duhet që të miratohen aktet nënligjore të ligjit “për burimet e rinovueshme të energjisë”. Këto akte ende nuk kanë dalë por me miratimin e tyre parashikohet që të vendoset edh enjë çmim për tepricat që prodhon biznesi dhe hedh në rrjet.

Interesi për instalimin e impianteve fotovoltaike për vetë prodhim vijon të mbetet i lartë edhe aktualisht për shkak të mundësisë që jep ky investim për të reduktuar faturat e energjisë dhe për t’u kthyer në një kohë të shkurtër.

Më herët, kthimi i investimit llogaritej për një periudhë deri në 7 vite por rritja e çmimeve të energjisë si dhe reduktimi i kostove të financimit viteve të fundit ka bërë që kthimi i investimit të shkojë nga 2-2.5 vite.

Interesi më i lartë mbetet nga bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt dhe ato në 20 kilovolt që janë aktualisht në treg të lirë si efekt i procesit të liberalizimit por kërkesë për projekte të ngjashme ka edhe nga bizneset e lidhur në tension më të ulët si 10 kv dhe 6 kv./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor