Furnizimi i Ukrainës me avionë luftarakë F-16 përbën rrezik të shtuar për një luftë bërthamore, ka paralajmëruar ish-presidenti rus Dmitry Medvedev.
Shtetet anëtare të NATO-s tashmë po stërvisin pilotët ukrainas për të fluturuar F-16 përpara ardhjes së pritshme të avionëve. Kievi ka kërkuar prej muajsh avionë luftarakë perëndimorë, duke thënë se ata ishin të nevojshëm për të luftuar epërsinë ajrore ruse.
“Një shpërthim aksidental, i paqëllimshëm i një konflikti bërthamor nuk është diçka që duhet hedhur poshtë, prandaj të gjitha ato makinacione rreth Ukrainës janë të rrezikshme”, tha Medvedev në një intervistë të gjerë me gazetarët rusë, cituar nga TASS të enjten.
Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë përmendi avionin e projektuar nga SHBA-ja si një shkas të mundshëm, duke vënë në dukje se Kievi i dëshiron ata pavarësisht se nuk ka infrastrukturë tokësore për t’i përdorur.
“Pra, nëse një prej atyre avionëve ngrihet nga një vend i NATO-s në një mision ukrainas, çfarë do ishte? Një sulm ndaj Rusisë. Nuk do të përshkruaj se çfarë mund të ndodhë më pas”, tha ai.
“Një zhvillim i tillë mund të mos jetë as i sanksionuar nga udhëheqja e NATO-s dhe SHBA-ja”.
Zyrtarët rusë paralajmëruan më parë se dërgimi i F-16 në Ukrainë do ishte shumë problematik, duke pasur parasysh se avionët mund të përdorin bomba të gravitetit bërthamor.